
Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Apelit për pushimin e hetimeve ndaj tre gjyqtarëve Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët i hoqën dënimin përjetë Dritan Dajtit.
Trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici prishën vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme të datës 27 nëntor 2020 dhe vendosën rikthimin e çështjes në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese.
Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në Durrës dhe ndodhet në burg që prej vitit 2008. Në shkurt te vitit 2019 një trupë gjykuese pranë Apelit vendosi të hiqte burgimin përjetë për Dajtin duke e dënuar atë me 25 vite burg.
Gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj vendosën të pranojnë kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, çka uli dënimin e tij me 1/3. Ndërsa dy gjyqtarët e tjerë që votuan kundër ishin Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.