
Zv.kryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu, ka reaguar pas atentatit të ndodhur sot në Elbasan, duke e cilësuar situatën e rendit publik në vend si “të paprecedent”.
Sipas Balliut, vetëm në dy javë Shqipëria është tronditur nga tre atentate mafioze, duke nisur nga ngjarja e rëndë në aeroport, e cila sipas tij “ekspozoi depërtimin e krimit të organizuar në strukturat shtetërore”. Ai shtoi se ngjarja në Lushnje dhe atentati i sotëm në Elbasan tregojnë “kolapsin e plotë të rendit dhe sigurisë publike”.
Në reagimin e tij, Balliu akuzon se kartelët po veprojnë me “siguri të plotë” sepse gjejnë “garanci politike nga qeveria aktuale”, të cilën e cilëson si “qeverinë e tyre, të ngritur dhe të mbajtur me mbështetjen e botës së krimit”.
“Jeta e qytetarëve është bërë e pasigurt, sepse pushteti i Edi Ramës është shndërruar në mburojën kryesore të kartelëve”, deklaron Balliu.
Sipas tij, vendi sot përballet me një realitet të rrezikshëm ku “aleancat e errëta mes qeverisë dhe grupeve kriminale po minojnë themelet e sigurisë kombëtare”.