
Deputetja Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë socialiste për krijimin e një strukture të errët që kontrollon pronën publike pa transparencë dhe llogaridhënie. Sipas saj, ligji i miratuar para shtatë vjetësh për krijimin e Korporatës së Investimeve (KIS) i dha këtij institucioni fuqi të mëdha mbi miliarda euro pasuri kombëtare, duke i mundësuar operime pa tendera dhe procedura ligjore, dhe duke krijuar një rrezik të prekshëm për qytetarët dhe ekonominë.
Tabaku thekson se kritikat për KIS nuk janë të reja, pasi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kishte vlerësuar si një projekt që mungon transparenca dhe llogaridhënia. Sipas saj, për vite me radhë, KIS është paraqitur si një institucion që promovon zhvillimin ekonomik, por në realitet funksionon si një strukturë pa auditim të brendshëm dhe mekanizma kontrolli.
Në raportin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) është evidentuar se KIS operon me dy versione të bilanceve, nuk ka njësi auditimi të brendshëm, nuk ka departament kontrolli dhe nuk garanton mbrojtjen e pasurisë publike. Tenderimet e saj biejnë shpesh ndesh me ligjin mbi prokurimin publik, duke favorizuar abuzime dhe shmangie të standardeve të integrimit.
Struktura organizative e KIS nuk përmban funksione kyçe dhe nuk siguron një bazë minimale të qeverisjes së mirë. Megjithatë, korporata operon edhe si një bankë financiare, duke i dhënë hua institucioneve publike, gjë që rrit rrezikun financiar për pasuritë publike. Shpenzimet e mbledhura nga KIS, sipas Tabakut, përdoren për qira të shtrenjta dhe abuzive, pa analiza të duhura çmimi dhe në kundërshtim me vendime të qeverisë.
Tabaku akuzon KIS për projektet pa analiza dhe pa planifikim adekuat, përfshirë Godinën e Kadastrës dhe Kompleksin Qeveritar, që sipas saj janë rezultat i projekteve të shpejtuara dhe shkeljeve ligjore. Sipas deputetes, krijimi i KIS ka hapur një “tunel të fshehtë” për trajtimin e pasurisë kombëtare në errësirë, dhe FMN ka shprehur skepticizmin për funksionimin e tij.
Tabaku nënvizon se detyra kryesore është që Kuvendi të propozojë mekanizma ligjorë për të audituar KIS, duke e nxjerrë korporatën nga errësira dhe duke siguruar kontroll mbi pasurinë publike. “Shqipëria nuk mund të lejojë një korporatë shtetërore të veprojë në fshehtësi, pa rregulla dhe pa llogari, ndërsa pronat e qytetarëve kthehen në mall tregu për një rreth të ngushtë vendimmarrjeje,” shprehet ajo.
Sipas Tabakut, pronat publike janë pasuria e shqiptarëve dhe nuk mund të preken në heshtje dhe me struktura të pambrojtura që rrezikojnë interesin kombëtar.