Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me armë zjarri drejt një banese në Elbasan, procedohen 3 shtetas



Policia e Elbasanit ka vijuar hetimet për ngjarjen e datës 28 nëntor 2025, kur u raportua se në lagjen “Vullnetari” ishte qëlluar me armë zjarri drejt një banese në pronësi të 66-vjeçarit F. P., ku jetonte shtetasi E. C. Sipas të dhënave zyrtare, materialet e çështjes i janë dorëzuar Prokurorisë, e cila ka nisur procedimin penal ndaj tre shtetasve: B. B. (E. Ç.), 48 vjeç, D. K., 47 vjeç, dhe A. C., 24 vjeç.

Në vijim të hetimeve, policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, Xh. B., 40 vjeç, dhe Sh. B., 50 vjeç, të afërm të shtetasit B. B., të dyshuar për përfshirje në ngjarje.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti nisi disa ditë para të shtënave, pas një zënke për motive të dobëta mes E. C. dhe B. B., gjatë së cilës E. C. kishte dëmtuar xhamin e automjetit të B. B. Tensionet u rikthyen më 28 nëntor, kur dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt banesës ku jetonte E. C., i cili nuk e ka kallëzuar incidentin.

Gjithashtu, policia bën me dije se shtetasi D. K. dyshohet të ketë fshirë pamjet e kamerave të sigurisë së banesës së tij, që ndodhet pranë vendit të konfliktit, duke penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Forcat e rendit po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e dy të kërkuarve, ndërsa hetimet për çështjen mbeten ende në zhvillim.