
Kryeministri Edi Rama ka rikujtuar pensionistët për shpërblimin e fundvitit, gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm në podcastin “Flasim”. Ai njoftoi se shpërblimet janë nisur drejt pensionistëve, sipas skemës së premtuar: ata që marrin pension deri në 20 mijë lekë të reja do të përfitojnë 150 euro, ndërsa ata me pension mbi 20 mijë lekë të reja do të shpërblehen me 100 euro.
Rama theksoi se shpërblimi i fundvitit është dhënë sipas premtimit dhe jo siç pretendonin disa informacione të rreme mediatike, që sugjeronin se ai do të ndahej çdo muaj gjatë vitit tjetër.
Kreu i qeverisë gjithashtu foli për rritjen e pensioneve dhe pagave minimale gjatë mandatit të katërt të qeverisë. Sipas tij, nga 1 janari 2026 fillon një rritje graduale e pensioneve, e cila do të dyfishohet në janar 2027, trefishohet në janar 2028, katërfishohet në janar 2029 dhe pesëfishohet në janar 2030.
Paga minimale gjithashtu do të rritet më 1 janar 2026 dhe do të arrijë 500 euro, në të dy sektorët, publik dhe privat, duke përmbushur premtimin e bërë gjatë fushatës elektorale.
Rama e përshkroi këtë plan si një histori të re për pensionistët dhe punonjësit shqiptarë, duke garantuar që rritjet do të jenë progresive dhe të qëndrueshme në vitet në vijim.