
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i është drejtuar presidentit Isaac Herzog me një kërkesë zyrtare për falje, duke argumentuar se ndalimi i procesit gjyqësor ndaj tij do të shërbejë për të ulur përplasjet e ashpra politike dhe shoqërore që kanë përfshirë vendin, përcjell YNetNews.
Në kërkesën e tij me shkrim, Netanyahu thekson se vitet e fundit tensionet mes grupeve të ndryshme të shoqërisë dhe autoriteteve shtetërore janë përshkallëzuar ndjeshëm. Ai pranon se çështja gjyqësore ndaj tij është shndërruar në pikë qendrore të përplasjeve dhe, siç thotë, mban përgjegjësi morale dhe publike për situatën.
“Pavarësisht interesit tim personal për ta çuar gjyqin deri në pafajësim të plotë, besoj se interesi publik kërkon një rrugë tjetër,” shkruan Netanyahu. Ai shton se, si kryeministër, ndjen detyrimin të punojë për pajtimin kombëtar dhe se “mbyllja e procesit do të ndihmonte në uljen e intensitetit të ‘flakëve’ të debatit që është krijuar rreth tij”.