
Një 29-vjeçar nga Puka është vënë në pranga nga policia, pasi u kap në flagrancë duke transportuar me varkë një sasi droge, eksploziv dhe municion luftarak drejt Tropojës. Operacioni i koduar “Varkëtari” u zhvillua nga shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas do të transportonte mallra të ndaluara drejt Kosovës.
Gjatë operacionit u sekuestruan 1.2 kilogramë kanabis, 405 gram tritol, 51 kapsolla detonatore, 5 metra fitil zjarrpërcjellës, municion luftarak dhe një sasi parash. Shtetasi i arrestuar është L. P., 29 vjeç, banues në Pukë.
Policia njofton se ai u kap në fshatin Dushaj duke lëvizur me një automjet tip “Volkswagen”, në të cilin kishte fshehur lëndët e kundraligjshme. Dyshohet se droga dhe eksplozivi ishin transportuar fillimisht me varkë nga fshati Apripë i Pukës drejt Tropojës, ku automjeti ishte parkuar për të shmangur kontrollin e policisë.
Operacioni po vijon në bashkëpunim me Prokurorinë dhe autoritetet e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personit që do t’i blinte këto lëndë.