
Rezervat ujore në pjesë të mëdha të Evropës po pakësohen me ritme alarmante, tregojnë të dhënat e reja nga dy dekada vrojtime satelitore, me ujin e ëmbël që po zhduket në të gjithë Europën jugore dhe qendrore, nga Spanja e Italia deri në Poloni dhe disa zona të Mbretërisë së Bashkuar.
Shkencëtarët e University College London (UCL), në bashkëpunim me Watershed Investigations dhe The Guardian, analizuan të dhëna të grumbulluara nga satelitët gjatë periudhës 2002–2024, të cilët matin ndryshimet në fushën gravitacionale të Tokës.
Për shkak se uji ka peshë të madhe, lëvizjet e ujërave nëntokësore, lumenjve, liqeneve, lagështisë së tokës dhe akullnajeve shfaqen qartë në sinjalet gravimetrike, duke i lejuar satelitët të “peshojnë” sasinë e ujit të depozituar.
Rezultatet tregojnë një çekuilibër të fortë: veriut dhe veriperëndimit të kontinentit – veçanërisht Skandinavisë, disa pjesëve të Britanisë dhe Portugalisë, po u shtohet lagështia, ndërsa zona të tëra në jug dhe juglindje, duke përfshirë pjesë të MB-së, Spanjës, Italisë, Francës, Zvicrës, Gjermanisë, Rumanisë dhe Ukrainës, po përjetojnë tharje të vazhdueshme.
Shkencëtarët thonë se ndikimi i drejtpërdrejtë i krizës klimatike është i dukshëm në të dhënat. Profesor Mohammad Shamsudduha nga UCL deklaroi se krahasimi i të dhënave satelitore të ujit tokësor me të dhënat klimatike tregon një korrelacion të qartë dhe duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për politikëbërësit që ende hezitojnë të ndërmarrin veprime për uljen e emetimeve.
Ai theksoi se bota nuk po flet më për kufizimin e ngrohjes në 1.5 gradë Celsius, ndërsa planeti po shkon drejt rritjes me 2 gradë mbi nivelet para-industriale dhe pasojat tashmë po shihen qartë.
Një analizë e mëtejshme e bërë nga kërkuesi Arifin, i cili izoloi rezervat e ujit nëntokësor nga të dhënat totale, konfirmoi se prirjet e ujërave të nëndheshëm pasqyrojnë të njëjtin model, duke vërtetuar se edhe rezervat e fshehura të ujit të ëmbël në Evropë po pakësohen ndjeshëm.
Trendet në Mbretërinë e Bashkuar paraqiten të përziera. Sipas Shamsudduha, perëndimi i vendit po bëhet më i lagësht ndërsa lindja po shteron, dhe ky ndryshim po forcohet vit pas viti. Edhe pse reshjet totale mund të jenë të qëndrueshme, apo madje në rritje të lehtë, modeli i reshjeve po ndryshon, me shira më të rrëmbyeshëm dhe periudha më të gjata thatësire, sidomos gjatë verës.
Uji nëntokësor, i cili zakonisht konsiderohet më i qëndrueshëm se ai sipërfaqësor, është gjithnjë e më i vështirë për t’u rigjeneruar për shkak të reshjeve të forta verore që shkaktojnë përmbytje dhe rrjedhje sipërfaqësore, ndërsa sezoni i rikarikimit dimëror po shkurtohet. Në juglindje të Anglisë, ku rreth 70% e furnizimit me ujë të pijshëm vjen nga nëntoka, këto ndryshime mund të sjellin sfida serioze.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, sasia totale e ujit të marrë nga burimet sipërfaqësore dhe nëntokësore në BE ka rënë mes viteve 2000 dhe 2022, por përdorimi i ujit nëntokësor është rritur me 6%, kryesisht për furnizim publik (18%) dhe bujqësi (17%). Uji nëntokësor është burim jetik, duke përbërë 62% të furnizimit publik dhe 33% të kërkesave bujqësore në vitin 2022.
Komisioni Evropian ka theksuar se strategjia e rezistencës ndaj ujit synon t’i ndihmojë vendet anëtare të përshtasin menaxhimin e burimeve ujore përballë ndryshimeve klimatike dhe presioneve të tjera njerëzore. Strategjia synon ndërtimin e një “ekonomie të zgjuar të ujit” dhe kërkon rritjen e efikasitetit me të paktën 10% deri në vitin 2030. Duke qenë se humbjet në rrjetin e tubacioneve variojnë nga 8% deri në 57% në BE, reduktimi i rrjedhjeve dhe modernizimi i infrastrukturës mbeten kyçe.
Hannah Cloke, profesore e hidrologjisë në Universitetin e Reading, tha se trendet afatgjata janë shqetësuese, sidomos pas periudhave të fundit të thatësive të mëdha dhe paralajmërimeve se edhe ky dimër mund të ketë reshje më të pakta se zakonisht. Nëse nuk sigurohet sasia e duhur e reshjeve deri në pranverë e verë, Anglia mund të përballet me kufizime të ashpra të furnizimit, gjë që do të vështirësonte jetën e përditshme.
Agjencia e Mjedisit në Angli ka paralajmëruar se vendi duhet të përgatitet për vazhdimin e thatësirës deri në vitin 2026 nëse nuk ka reshje të mjaftueshme gjatë vjeshtës dhe dimrit. Ndërkohë, ministrja e ujit, Emma Hardy, deklaroi se qeveria po ndërmerr masa të vendosura, përfshirë ndërtimin e nëntë rezervuarëve të rinj për të siguruar rezistencë afatgjatë të furnizimit me ujë.
Por Cloke tha se këto projekte të mëdha që kërkojnë dekada për t’u finalizuar nuk e zgjidhin problemin e menjëhershëm. Ajo nënvizoi nevojën për rikuperim të ujit, përdorim më të kursyer, ndarje të ujit të pijshëm nga uji i ricikluar dhe aplikim të zgjidhjeve natyrore në zhvillimet urbane.
Shkencëtarët paralajmërojnë se tharja e Evropës do të ketë pasoja të gjera, duke goditur sigurinë ushqimore, bujqësinë dhe ekosistemet që varen nga uji, veçanërisht habitate të ushqyera nga ujërat nëntokësore. Rezervat që po tkurret në Spanjë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në Britaninë që varet shumë nga prodhimet e frutave të importuara nga vendet e Europës jugore.
Fenomenet klimatike që për dekada janë parë në jugun global, nga Azia Jugore te Afrika dhe Lindja e Mesme, tani po shfaqen “shumë më afër shtëpisë”, ndërsa ndikimet e ndryshimit klimatik janë të dukshme në vetë kontinentin evropian. Shamsudduha tha se vendet duhet të pranojnë realitetin e krizës klimatike dhe të përqafojnë qasje të reja, edhe të pazakonshme, përfshirë mbledhjen masive të ujit të shiut edhe në vende si Mbretëria e Bashkuar.
Në shkallë globale, zona të thata po shfaqen në Lindjen e Mesme, Azi, Amerikën e Jugut, bregun perëndimor të SHBA-së dhe në pjesë të mëdha të Kanadasë, ndërsa Grenlanda, Islanda dhe Svalbardi po përjetojnë gjithashtu tkurje dramatike të rezervave ujore.
Në Iran, Teherani po i afrohet “ditës zero”, kur ujësjellësi mund të ndalojë së funksionuari, dhe autoritetet tashmë po planifikojnë racionimin. Presidenti i vendit, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se nëse racionimi dështon, kryeqyteti mund të detyrohet të evakuohet.