
Administrata e Donald Trump ka pezulluar të gjitha vendimet për kërkesat e azilit, pas të shtënave në Uashington DC ku u qëlluan dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare.
Lajmi u konfirmua nga drejtori i Shërbimit amerikan të Shtetësisë dhe Imigracionit (USCIS), Joseph Edlow, i cili tha se kjo masë do të qëndrojë në fuqi “derisa të sigurohemi që çdo i huaj të jetë verifikuar dhe kontrolluar në masën më të lartë të mundshme”.
Vendimi u shpall pak orë pasi Presidenti Donald Trump deklaroi se do të “pezullonte përgjithmonë migracionin” nga të gjitha “vendet e botës së tretë”.
Komentet dhe masat e reja erdhën në vijim të sulmit të së mërkurës, ku një efektive, Sarah Beckstrom, humbi jetën dhe një tjetër mbeti në gjendje kritike. Autoritetet kanë akuzuar një shtetas afgan për kryerjen e sulmit.
Vendimet e para pas incidentit kishin në shënjestër konkretisht afganët që kërkonin hyrjen në SHBA, por masat e reja janë shumë më të gjera.
Sipas CBS News, USCIS është urdhëruar të mos miratojë, refuzojë apo mbyllë asnjë kërkesë azili të çdo nacionaliteti, edhe pse oficerët mund të vijojnë punën deri në prag të marrjes së vendimit, përcjell BBC.
Nuk janë dhënë detaje të plota mbi direktivën e së premtes.
Ndërkohë, Trump nuk specifikoi se cilat vende do të përfshihen në ndalimin e ri të migracionit, një lëvizje që pritet të përballet me sfida ligjore dhe ka ngjallur reagime të ashpra nga agjencitë e OKB-së.
Masat e fundit pasqyrojnë një ashpërsim të mëtejshëm të qasjes së presidentit ndaj emigracionit gjatë mandatit të tij të dytë.
Trump ka kërkuar gjithashtu të zbatojë deportime masive të emigrantëve të paligjshëm, të ulë numrin vjetor të pranimeve të refugjatëve dhe të heqë të drejtën e shtetësisë automatike për shumë prej atyre që lindin në territorin amerikan.