Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra avionë Airbus pezullohen nga një defekt i shkaktuar nga rrezatimi diellor


Mijëra avionë të Airbus janë pezulluar përkohësisht pasi kompania ka zbuluar se rrezatimi i fuqishëm diellor mund të ndërhyjë në kompjuterët e kontrollit të fluturimit, duke shkaktuar vonesa në aeroporte në mbarë botën.

Rreth 6,000 avionë të familjes A320, gjysma e flotës globale të prodhuesit, rezultojnë të prekur nga problemi, por pjesa më e madhe pritet të rikthehet në shërbim pas një përditësimi të shpejtë software që zgjat rreth tre orë, sipas BBC.

Problemi u identifikua pas hetimit të një incidenti në tetor, kur një avion që fluturonte mes SHBA-së dhe Meksikës humbi papritur lartësi.

Fluturimi i JetBlue u detyrua të bënte ulje emergjente në Florida, ku të paktën 15 persona u plagosën.

Hetimet zbuluan se rrezatimi intensiv diellor kishte dëmtuar të dhënat e software-it që llogarit lartësinë e avionit, duke shkaktuar devijime të rrezikshme.

Modelet A318, A319, A320 dhe A321 rezultojnë të prekura.

Për rreth 5,100 avionë, çështja mund të zgjidhet me përditësim software, ndërsa rreth 900 avionë më të vjetër kërkojnë zëvendësimin fizik të kompjuterëve të bordit dhe nuk do të lejohen të fluturojnë me pasagjerë derisa procesi të përfundojë.

Ndikimi në aeroportet britanike deri tani ka qenë i kufizuar. Gatwick raportoi “disa ndërprerje”, ndërsa Heathrow nuk ka pasur anulime.

 Manchester deklaroi se nuk pret probleme të mëdha. Air France është ndër kompanitë më të prekura, me dhjetëra anulime në Paris, ndërsa EasyJet njoftoi se ka nisur dhe ka përfunduar përditësimet në shumë avionë, duke synuar fluturime normale.

Në SHBA, çështja është shfaqur në fundjavën e ngarkuar të Ditës së Falënderimeve, me American Airlines që ka 340 avionë të prekur.

Në Australi, Jetstar anuloi rreth 90 fluturime dhe paralajmëroi se ndërprerjet do të zgjasin gjatë fundjavës.

Tim Johnson nga Autoriteti Civil i Aviacionit në Britani e quajti situatën “jashtëzakonisht të rrallë”, por të menaxhueshme falë standardeve të larta të sigurisë. Ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, shtoi se ndikimi në linjat britanike duket i kufizuar dhe se zgjidhja po ecën me shpejtësi.

Problemi teknik lidhet me sistemin “fly-by-wire”, ku komandat e pilotit transmetohen elektronikisht te pjesët që kontrollojnë fluturimin.

Çdo dështim në kompjuterët që përpunojnë këto sinjale mund të ketë pasoja serioze, ndaj Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit ka lëshuar një urdhër emergjent, duke kërkuar që asnjë avion i prekur të mos transportojë pasagjerë derisa të kryhet rregullimi.

Airbus ka kërkuar falje për ndërprerjet dhe po punon për të rikthyer flotën globale në operim normal sa më shpejt të jetë e mundur.