Vendosni fjalën kyçe....

Afera e Llogarasë, Berisha: Rama dërgoi Ballukun në Kushtetuese sepse është bashkëautor


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ka deklaruar se skandali i tunelit të Llogarasë ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe se kryeministri Edi Rama është i përfshirë drejtpërdrejt në këtë aferë.

Ai u shpreh se arsyeja pse Rama nuk shkarkoi ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nuk lidhet me asnjë lloj mbështetjeje personale, por me faktin se ai vetë është bashkëautor i aferës.

Berisha e quajti situatën “të paprecedentë në Europë”, duke theksuar se për herë të parë një kryeministër padit një gjykatë për pezullimin e një zyrtareje të lartë.

Superskandali Rama–Balluku ka marrë përmasa të papara. Për herë të parë në historinë e vendeve të lira, një kryeministër padit gjykatën që pezulloi zv/kryeministren hajdute.

Ai akuzoi Ramën se ka ndërhyrë personalisht në proces, duke pretenduar se dërgimi i Ballukut në Ankara për të negociuar me kompani turke është provë e përfshirjes së tij në një marrëveshje që, sipas Berishës, i ka kushtuar shqiptarëve 50 milionë euro më shumë sesa oferta më e ulët.

Edi Rama nuk shkoi në Gjykatë Kushtetuese për sentiment ndaj Ballukut, por sepse është bashkëautor në këto vjedhje të mëdha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha shtoi se skandali në fjalë konfirmon “shkërrmoqjen e regjimit të narkoshtetit”, duke përmendur edhe reagime ndërkombëtare që sipas tij flasin për lidhjet e Shqipërisë me kartelet e drogës.

Ai theksoi se raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR dhe rezoluta e miratuar në Sao Paolo nga CDI përbëjnë mbështetje për opozitën në betejën kundër qeverisë.

Berisha nënvizoi se PD ka nisur analizën pas publikimit të raportit të ODIHR, ndërsa theksoi se vendi ndodhet në një krizë të thellë të shkaktuar, sipas tij, nga “kalbëzimi i qeverisjes”.

“E vërteta se përpjekja jonë apo denoncimi ynë shkon në sintoni dhe në paralel me denoncimin e mediave më serioze ndërkombëtare të cilat nga viti 2017 dhe gjer sot në dhjetëra e dhjetëra artikuj, dokumentar, analiza kanë shpallur Shqipërinë narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, mbasi Shqipëria sipas të dhënave të OKB-së është eksportuesi numër 1 në Europë dhe Shqipëria sot, klanet shqiptare të drogës të lidhura me kartelet narkoterroriste të Amerikës Latine kontrollojnë gjerësisht tregun Europian të kokainës dhe përcaktojnë çmimet e saj.

Në rast se ju dëgjuat apo lexuat përshëndetjet sekretari i Shtetit Rubio dhe vetë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dërguar dje me rastin e festës së pavarësisë konstatonin se në mesazhet e tyre, problem madhor shtrohet lufta kundër organizatave kriminale, karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët në Shqipëri janë duke filluar nga kreu i qeverisë dhe vazhdim më poshtë.

Po në këtë asamble të CDI, unë pata nderin të zgjidhem zv/president i kësaj organizate gjë që përbën një vlerësim shumë të madh për PD, opozitën shqiptare. Një mbështetje për opozitën shqiptare në betejën kundër narkoshtetit.

Por përveç kësaj, superskandali Rama-Balluku ka marrë përmasa të papara.

Të dashur miq. Për herë të parë në historinë e Europës, për herë të parë në historinë e vendeve të lira, një kryeministër padit gjykatën që pezulloi nga detyra zv/kryeministren hajdute, e padit në Gjykatë Kushtetuese.

Nuk ka ndodhur kurrë.

Edi Rama u tha shqiptarëve se pezullimi nuk ka ndodhur ndonjëherë në Europë. E vërteta është se pezullimi nuk është i shpeshtë në Europë. Sepse në Europë sapo ngrihet një akuzë, i akuzuari jep dorëheqjen dhe pret sqarimin nga drejtësia të problemit.

Kurse në Shqipëri jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por merr mbështetjen e kryeministrit për të paditur në Gjykatë Kushtetuese. Pra në Gjykatë Kushtetuese nuk shkoi Belinda Balluku e pezulluara, por në Gjykatë Kushtetuese shkoi Edi Rama, por në mënyrë absolute jo tashmë për vlerësimet apo sentimentet që ka ndaj Ballukut, por fund e krye për shkak të problemit madhor të vet sepse ai është bashkëautor në këto vjedhje të mëdha.

Është ai që dërgoi Ballukun në Ankara dhe takoi kompanitë turke të cilat morën 50 mln euro më shumë për tunelin e Llogarasë sesa kompani de fakto ndërtoi tunelin, që paraqiti një ofertë 50 mln më të lirë.

Pra kemi një kalbëzim, kemi një shkërrmoqe, kemi një rrokullisje të pashpresë të regjimit të narkoshtetit.

Ndërkohë PD ka nisur analizën e saj pas këtyre proceseve që ndodhën, pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR dhe rezolutës së miratuar në Sao Paolo të Brazilit nga CDI. ”, tha ai.