Vendosni fjalën kyçe....

“Veza Dimërore” Fabergé e prodhuar për Carët rusë pritet të thyejë rekordet e ankandeve


Shtëpia e famshme e bizhuterive e Shën Petersburgut prodhoi vetëm 50 vezë Faberge  për Carët rusë Aleksandrin III dhe Nikollën II, të cilët i porositën si dhurata të Pashkëve midis viteve 1885 dhe 1916. Shtatë prej tyre mungojnë, disa prej të cilave nuk janë parë që para Revolucionit Rus. Të tjerat ndodhen kryesisht në institucione apo muze, nga Moska në Virxhinia, duke lënë vetëm shtatë në pronësi private.

Nga këto, disa janë në koleksione “mjaft të shenjta,” sipas ekspertit të Fabergé-s, Kieran McCarthy, që do të thotë se vetëm tre mbeten në ato që ai i quajti duar “vërtet private” dhe që mund të bliheshin në mënyrë realiste.

“Ato janë tepër të rralla,” tha McCarthy, i cili është bashkëdrejtor menaxhues në ëartski, një tregtar britanik i bizhuterive antike i specializuar në veprat e Peter Carl Fabergé, shkruan CNN.

“Dhe po bëhen edhe më të rralla.”

Tani, për herë të parë në më shumë se dy dekada, një nga të treja do të dalë në ankand. Dhe mungesa e vezëve është, pjesërisht, arsyeja pse shtëpia e ankandeve Christie’s vlerëson se Veza Dimërore (Winter Egg) e vitit 1913 do arrijë një çmim “që kalon” 20 milionë stërlina (26 milionë dollarë) në Londër muajin e ardhshëm. Nëse realizohet ky çmim, objekti 112-vjeçar jo vetëm që do vendoste një rekord ankandi për një vezë Fabergé, por do thyente atë që Veza Dimërore vetë vendosi në vitin 2002.

Përveç kërkesës dhe ofertës, Christie’s beson se vlerësimi i saj astronomik pasqyron cilësitë unike artistike të objektit. E bërë nga një bllok kuarci i kthjellët, veza duket sikur është gdhendur nga akulli dhe e pluhurosur me brymë. Flocët e borës të gdhendura shkëlqejnë me diamante të prera në formë trëndafili; platini rrjedh poshtë bazës sikur të ishte duke u shkrirë në diellin e pranverës.

“Është si të mbash një copë akulli në dorë,” tha McCarthy.

Nikolla II pagoi 24,600 rubla për të, shuma e tretë më e lartë që Fabergé ka kërkuar ndonjëherë për një vepër. Dy vezët më të shtrenjta, sipas saj, ndodhen, siç pritej, në koleksione muzeore.