
Britania njoftoi të premten se negociatat për t’u bashkuar me fondin e ri të mbrojtjes së Bashkimit Europian, të njohur si SAFE, kanë dështuar, një goditje e rëndësishme për përpjekjet e shpallura për një rinisje të marrëdhënieve pas Brexit-it, me synim forcimin e mbrojtjes së kontinentit, përcjell Reuters.
Kryeministri Keir Starmer në maj kishte përshkruar një “epokë të re” në marrëdhëniet Londër–Bruksel, duke nënshkruar një marrëveshje që lejonte Britaninë të negocionte hyrjen në fondin prej 150 miliardë eurosh për riarmatimin e Evropës.
Por dy ditë para afatit përmbyllës, qeveria britanike konfirmoi se marrëveshja nuk ishte e arritshme.
“Edhe pse është zhgënjyese që nuk kemi arritur të finalizojmë diskutimet për pjesëmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar në raundin e parë të SAFE, industria jonë e mbrojtjes do të mund të marrë pjesë në projekte si palë e vendeve të treta,” deklaroi Nick Thomas-Symonds, ministri britanik për Marrëdhëniet me BE-në.
Ai shtoi se Britania do të nënshkruajë vetëm marrëveshje që “janë në interes kombëtar dhe që ofrojnë vlerë për paratë e taksapaguesve”.
Sipas rregullave të fondit, kontratat e prokurimit nuk duhet të kenë më shumë se 35% të kostos së komponentëve të origjinës jashtë BE-së ose vendeve të tjera pjesëmarrëse, si Ukraina. Ky kufizim shihet si një nga arsyet kryesore të bllokimit.
Ndërkohë, Komisioni Europian nuk komentoi drejtpërdrejt rezultatin, por një zëdhënës tha se negociatat kishin qenë “intensive, konstruktive dhe në mirëbesim”.
Ai theksoi se fondi SAFE “është i hapur nga koncepti” dhe se Britania mund të marrë pjesë deri në kufirin 35%.
Aksionet e kompanive të mëdha britanike të mbrojtjes – BAE Systems, Rolls-Royce dhe Babcock – nuk u prekën nga lajmi.
Komisioni Europian nënvizoi se mbetet i angazhuar për një partneritet të gjerë BE–Mbretëri e Bashkuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, pavarësisht mosmarrëveshjes aktuale.