Vendosni fjalën kyçe....

WSJ: Irani ka transferuar qindra miliona dollarë për Hezbollahun përmes bizneseve në Dubai



Irani ka transferuar qindra miliona dollarë drejt Hezbollahut gjatë vitit të fundit përmes këmbimoreve dhe bizneseve të tjera në Dubai, raportoi Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Sipas raportit, të cituar nga YNetNews, Hezbollahu po përballet me vështirësi financiare ndërsa përpiqet të rindërtojë dhe riarmatoset pas konfliktit të vitit të kaluar me Izraelin. Rrugët tradicionale të kontrabandës përmes Sirisë janë ndërprerë pas rënies së regjimit të lidhur me Iranin të Bashar al-Assad, ndërsa autoritetet libaneze kanë shtuar masat kundër korrierëve që lëvizin para në Aeroportin Ndërkombëtar të Bejrutit, “Rafic Hariri”.

WSJ shkruan se Irani dhe Hezbollahu janë mbështetur gjithnjë e më shumë te Dubai, një qendër e madhe financiare që Teherani e ka përdorur prej vitesh për të shmangur sanksionet. Të ardhurat nga nafta dyshohet se kanalizohen drejt këmbimoreve dhe kompanive private të lidhura me Iranin në këtë emirat, të cilat më pas i transferojnë paratë në Liban përmes sistemit “Hawala”, një metodë shekullore transfertash që nuk kërkon lëvizje fizike të parave.

Një zyrtar i Emirateve i tha gazetës se vendi është “i përkushtuar të parandalojë keqpërdorimin e territorit të tij për financime të paligjshme”.

Raporti citon edhe Departamentin Amerikan të Thesarit, i cili në nëntor tha se Forcat Quds të Iranit kishin transferuar më shumë se 1 miliard dollarë drejt Hezbollahut këtë vit, kryesisht përmes kompanive të këmbimit valutor.

Sipas WSJ, Hezbollahu mbetet financiarisht i tendosur edhe një vit pas armëpushimit që i dha fund luftimeve më të ashpra, ndërsa grupi ka premtuar të rindërtojë shtëpitë e dëmtuara, të mbështesë luftëtarët e plagosur dhe të plotësojë arsenalinn e tij ushtarak.