
Në vazhdën e negociatave të Gjenevës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë fundjavën e kaluar, Moska e mbajti mesazhin e saj të thjeshtë.
Rusia nuk e kishte parë planin e rishikuar të paqes, por tashmë po fajësonte evropianët dhe Kievin për prishjen e një propozimi që ajo pretendonte se kishte qenë baza potenciale për një marrëveshje.
Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov paralajmëroi të martën se nëse plani “nuk merrte parasysh mirëkuptimet kyçe” që presidenti rus Putin kishte arritur me presidentin amerikan Trump, gjendja do ishte “thelbësisht ndryshe”.
“Gjëja e vetme thelbësore është projekti amerikan, projekti i Trumpit,” tha zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.
Ky ishte një variacion i ri i mesazhit publik që Kremlini i ka përcjellë administratës Trump prej muajsh: Rusia është e hapur për një marrëveshje të mundshme…por sipas afateve dhe kushteve të veta.
Për muaj të tërë, Moska ka qëndruar e palëkundur në pozicionin e saj se nuk do nënshkruajë asnjë marrëveshje që nuk përfshin dorëzimin nga Kievi të disave prej pozicioneve të saj të vijës së frontit në rajonin e Donbasit, një kusht për të cilin Trump njoftoi se kishte rënë dakord gjatë samitit të tij me Putinin në Alaskë në gusht.
Në një telefonatë të rrjedhur në tetor midis të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe ndihmësit të Kremlinit Yuri Ushakov, e publikuar nga Bloomberg të martën, Witkoff pranoi se çdo marrëveshje do duhej të përfshinte “Donetsk-un dhe ndoshta një shkëmbim toke diku”, duke sugjeruar se SHBA-ja do të mbështeste Rusinë që të merrte pjesën tjetër të provincës së Donetskut, të cilën ajo nuk ka qenë në gjendje ta merrte që nga viti 2014. Kjo ka qenë një vijë e kuqe prej kohësh për Kievin.
Në një telefonatë tjetër të rrjedhur, të publikuar gjithashtu nga Bloomberg, një tjetër i dërguar i Kremlinit, Kirill Dmitriev, tha se ndërsa ai besonte se administrata Trump nuk do e pranonë “saktësisht versionin e Rusisë” të një plani paqeje, ai do ishte “të paktën sa më afër tij që të jetë e mundur”.
Financial Times nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur transkriptet.

Lavrov tha se ai “mirëpriti” një propozim paqeje amerikan me 28 pika të hartuar me kontributin rus, i cili i kërkonte Kievit të hiqte dorë nga territori dhe të përballej me kufizime të tjera, i cili iu paraqit presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy të enjten.
Megjithatë, një version i modifikuar me 19 pika i hartuar me negociatorët ukrainas dhe evropianë në Gjenevë në fillim të kësaj jave duket shumë më pak i favorshëm për Rusinë. Rustem Umerov, një zyrtar i lartë ukrainas, tha se ekipi i tij kishte arritur “një mirëkuptim të përbashkët mbi kushtet kryesore të marrëveshjes” me homologët e tyre amerikanë.
Samuel Charap, një shkencëtar i lartë politik në Rand Corporation, tha se “nuk kishte asnjë mundësi” që Moska të nënshkruante planin e ndryshuar nga Kievi dhe evropianët.
Në vend të kësaj, Rusia ka të ngjarë të zgjasë negociatat në formate të shumta dhe të vijojë përparimin e saj të ngadaltë në fushën e betejës, tha ai.
“Taktika që Putini ka ndjekur vazhdimisht me Trumpin është që të mos e mbyllë kurrë derën,” tha Charap.
“Rusët do thonë: ‘Po, por…’ ose ‘kjo është një bazë e mirë për diskutim, por ne dëshirojmë të flasim për detajet…'”
Rusia do e ketë këtë mundësi javën e ardhshme, kur ëitkoff pritet të vizitojë Moskën për bisedime mbi planin e paqes. Trump e ka lënë pas afatin e tij të Ditës së Falënderimeve për një marrëveshje, ndërkohë që flet për progresin e bërë.
Moska ishte “gogoli” fundjavën e kaluar, kur negociatorët ukrainas dhe evropianë u mblodhën me nxitim për të ndryshuar planin e SHBA-së, duke hequr disa pika të diskutueshme dhe duke shtyrë të tjerat për bisedime midis Trump dhe Zelenskyt.
Megjithatë, Kremlini ndoshta do jetë i kënaqur që nisma e Uashingtonit destabilizoi Kievin dhe dobësoi më tej një aleancë Atlantike të tensionuar, thanë vëzhguesit.
Paniku i shkaktuar në Kiev dhe kryeqytetet evropiane nga ai plan do kishte qenë “qershia mbi tortë” për Moskën, tha Fiona Hill, një ish-drejtore e lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Trumpit nga viti 2017 deri në 2019.
“Sepse të gjithë po vrapojnë si pula pa kokë.”

Edhe nëse rishikohet më pas, bomba diplomatike e Uashingtonit i bëri jehonë përpjekjeve të mëparshme të Trumpit për të zgjidhur luftën dhe instinktit të tij të qëndrueshëm se Rusia mban epërsinë, tha Hill.
Negociatorët në Gjenevë ranë dakord të shtyjnë çështjet më të ndjeshme rreth territorit dhe garancive të sigurisë për bisedime të mëtejshme midis Zelenskyt dhe Trump. Thomas Graham, një studiues i shquar në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se këto ishin gjithmonë pikat më të forta të ndërprerjes së negociatave dhe Moska do vijojë të shtyjë kërkesat e saj.
Siç sugjeruan vërejtjet e rrjedhura të ëitkoff, administrata Trump është pranuese ndaj kërkesës së Moskës që Ukraina të dorëzojë pjesën tjetër të provincës së Donetskut si çmim për një marrëveshje.
“Putin po kërkon diçka që do e lejonte atë të thoshte se arriti qëllimet që kishte parashtruar kur ndodhi pushtimi në shkurt 2022, se ai dëshiron Donbasin, i cili ishte fokusi fillestar i operacionit ushtarak për sigurinë,” tha Graham.
“Do ketë shumë gjëra në planin e rishikuar me të cilat rusët nuk do bien dakord,” shtoi ai.
“Ata ende po bëjnë përparim në terren. Ata ende mendojnë se koha është në anën e tyre. Nëse ata janë të përgatitur të bëjnë kompromis apo jo për ndonjë gjë është një pyetje e hapur.”
Rusia nuk mund ta përballojë luftën pafundësisht. Ekonomia vijon të shfaqë tension dhe humbjet e saj në betejë vijojnë të shtohen.
Megjithatë, Moska gjithashtu nuk kishte asnjë nxitim për të vrapuar drejt tryezës së negociatave, ose për të bërë kompromise në fusha ku nuk ishte gati, tha Charap në Rand Corporation.
“Relativisht, ata mendojnë se marrëveshja do jetë më e mirë në gjashtë muaj. Kështu që ata nuk do nxitojnë,” tha ai.
“Pyetja është nëse SHBA-ja mund të sigurojë sasinë e duhur të mjeteve për t’i bërë ata të arrijnë një marrëveshje më shpejt se më vonë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani