
Jordania i ka kërkuar zyrtarisht Rusisë të ndalojë menjëherë rekrutimin e qytetarëve jordanezë në Forcat e Armatosura Ruse, pasi dy shtetas të saj u vranë duke luftuar në krah të Moskës, përcjell REL.
Në një deklaratë të publikuar të enjten, Ministria e Jashtme jordaneze e quajti këtë praktikë “shkelje të ligjit jordanez dhe ligjit ndërkombëtar”, duke paralajmëruar se një veprim i tillë “i ekspozon qytetarët ndaj rrezikut të vërtetë”.
Zëdhënësi i Ministrisë, Fuad al-Majali, u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo tentativë për t’i rekrutuar ata në ushtrinë ruse dhe i paralajmëroi se përballen me pasoja serioze ligjore, përveç rrezikut të humbjes së jetës. Ai shtoi se Jordania i ka kërkuar autoriteteve ruse jo vetëm të ndalin rekrutimin, por edhe të lirojnë menjëherë qytetarët jordanezë që tashmë janë regjistruar në ushtri.
Autoritetet në Aman thonë se kanë marrë informacion edhe për përpjekje rekrutimi online, ndërkohë që kujtojnë se ligji i ndalon shtetasit jordanezë të bashkohen me forcat e armatosura të vendeve të huaja.
Nuk dihet numri i saktë i jordanezëve të rekrutuar deri tani, por qindra prej tyre jetojnë në Rusi, ndërsa më shumë se 20.000 kanë studiuar ndër vite në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, sipas të dhënave jozyrtare.
Që në fillim të pushtimit rus në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin kishte paralajmëruar gatishmërinë për të rekrutuar mijëra luftëtarë nga Lindja e Mesme. Raportime të mëvonshme treguan se rreth 2.000 trupa të rregullta siriane u dërguan në Rusi për të ndihmuar operacionet ushtarake.