
Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar edhe gjatë ditës së enjte, pas zjarrit masiv që përfshiu një kompleks me shtatë pallate të larta banimi në Hong Kong, ngjarje që konsiderohet si më e renda në dekada për territorin. Bilanci i viktimave ka arritur në 44 të vdekur, mes tyre edhe një zjarrfikës, ndërsa të paktën 62 persona janë plagosur, shumë prej tyre me djegie dhe probleme nga thithja e tymit, përcjell Euronews.
Flakët shpërthyen të mërkurën pasdite në kompleksin Wang Fuk Court, në zonën Tai Po, pranë kufirit me Kinën kontinentale. Zjarri u përhap me shpejtësi nëpërmjet skelave të jashtme dhe rrjetave mbrojtëse të ndërtesave, duke përfshirë shtatë nga tetë godinat e kompleksit. Zjarrfikësit raportuan se kushtet për ndërhyrje ishin tepër të vështira, për shkak të temperaturave ekstreme dhe rënies së vazhdueshme të materialeve nga lartësia.
Policia ka arrestuar tre persona, drejtorët dhe një konsulent inxhinierik të një kompanie ndërtimi, të dyshuar për “neglizhencë të rëndë” dhe “vrasje nga pakujdesia”. Sipas hetimeve paraprake, në muret e jashtme të pallateve dyshohet të jenë përdorur materiale që nuk plotësonin standardet e rezistencës ndaj zjarrit, çka mund të ketë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Në një prej godinave u gjet edhe stirofor i ndezshëm, i vendosur pranë dritareve, për të cilin po hetohet funksioni dhe arsyeja e instalimit.
Kompleksi, i ndërtuar në vitet ’80 dhe në proces rinovimi, strehohej rreth 4,800 banorë, shumë prej tyre të moshuar. Afro 1,000 persona u evakuuan gjatë natës dhe u strehuan në ambiente të përkohshme. Autoritetet konfirmuan se 279 persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nëpër ndërtesat e karbonizuara.
Ky është zjarri më vdekjeprurës në Hong Kong që prej vitit 1996, kur 41 persona humbën jetën në një godinë tregtare në Kowloon. Autoritetet pritet të njoftojnë zhvillime të reja gjatë orëve në vijim.