Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Kolonjës protestojnë në Qafzez: Jemi të izoluar, kemi të sëmurë që presin ndihmë



Banorët e disa fshatrave të zonës së Kolonjës kanë dalë sot në protestë në Qafzez, pranë urës së Baba Selimit mbi lumin Osum, pas një jave izolimi të plotë për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.

Mbi 10 fshatra janë shkëputur nga rruga kryesore, pasi ura lidhëse – e vetmja rrugë hyrëse dhe dalëse për banorët – është dëmtuar rëndë, duke bërë të pamundur kalimin e automjeteve, përfshirë ato të emergjencës.

Situata ka shkaktuar panik tek banorët, të cilët thonë se në disa fshatra të thellë ka persona të sëmurë që presin ndihmë, ndërsa ndërhyrja nuk ka qenë e mundur për shkak të bllokimit të urës.

“Kemi të sëmurë që po presin në mëshirë të fatit”, shprehen protestuesit, të cilët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të institucioneve për rikthimin e lëvizshmërisë dhe garancinë e një rruge funksionale.

Banorët i bëjnë apel autoriteteve që të ndërhyjnë sa më shpejt, pasi situata po rrezikon jetët e njerëzve dhe po paralizon jetën në zonë.