
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se plani i tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është “përmirësuar”, pasi negociatorët amerikanë zhvilluan bisedime me të dy palët për të adresuar shqetësimet e tyre. Ai njoftoi se përfaqësues të nivelit të lartë, përfshirë të dërguarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff, do të zhvillojnë takime të tjera me zyrtarë rusë dhe ukrainas që javën e ardhshme, përcjell Euronews.
Trump shtoi se Witkoff do të udhëtojë në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, do të zhvillojë bisedime me zyrtarë ukrainas në ditët në vijim.
Ai nuk përjashtoi mundësinë që vetë të takohej me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, por vetëm pasi të ketë më shumë progres në procesin e negociatave.
Gjatë një deklarate për gazetarët në bordin e Air Force One, të martën, Trump tha se zgjidhja e konfliktit është e komplikuar dhe se dokumenti i mëparshëm me 28 pika ishte ende në fazë përpunimi. Ai shtoi: “Ajo nuk ishte një plan i plotë, por një koncept fillestar.”
Plani i bërë publik javën e kaluar u kritikua gjerësisht për favorizimin e Rusisë, çka e shtyu presidentin ukrainas Zelenskyy të angazhohej menjëherë në diskutime me ndërmjetësit amerikanë. Ndërkohë, liderët e Europës, të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të anashkaluar në hartimin e planit, janë përpjekur të ndikojnë në proces.
Trump tha se Witkoff pritet të takohet me Putinin në Moskë javën e ardhshme dhe se mundësisht mund ta shoqërojë edhe dhëndri i tij, Jared Kushner. Sipas tij, “njerëzit po fillojnë të kuptojnë se kjo është një marrëveshje e mirë për të dyja palët”.
Presidenti amerikan zbuti pjesën më të debatueshme të planit, atë që parashikon që Ukraina t’i dorëzojë Rusisë territor. Propozimi fillestar kërkonte që Kievi t’i jepte Moskës të gjithë rajonin e Donbasit — Donetskun dhe Luhanskun — ku Ukraina ende mban nën kontroll një pjesë të madhe të territorit.
Trump theksoi se sipas tij, forcat ruse janë “tashmë në rrugë për ta marrë atë territor”, duke shtuar: “Me ritmin aktual, ajo tokë mund të jetë e marrë nga Rusia brenda pak muajve të ardhshëm.”
Deklaratat e tij erdhën pasi Dan Driscoll zhvilloi dy ditë bisedimesh me zyrtarë rusë në Abu Dhabi, si pjesë e përpjekjeve për të dakordësuar elementët e planit të ri. Zëdhënësi i tij, Jeff Tolbert, tha se “bisedimet po ecin mirë dhe ka optimizëm”.
Witkoff, një ish-zhvillues pasurish të paluajtshme i kthyer në diplomat, ka qenë negociatori kryesor i Trump me Putinin. Driscoll, i afërt me nënpresidentin JD Vance, ka marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ditët e fundit.
Edhe në Europë duket se ka lëvizje. Presidenti francez Emmanuel Macron tha të martën se përpjekjet për paqe “po marrin një vrull të ri” dhe se procesi është në “një moment vendimtar”. Ai foli pas një takimi SHBA–Ukrainë në Gjenevë dhe një videokonference të aleatëve europianë të Ukrainës.
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se shumica e tekstit të marrëveshjes “mund të pranohet”, duke theksuar se bisedimet janë në një drejtim pozitiv.
Zelenskyy tha të hënën mbrëma se “lista e hapave të nevojshëm për t’i dhënë fund luftës mund të bëhet e zbatueshme”, ndërsa këshilltari i tij Rustem Umerov njoftoi se presidenti ukrainas shpreson ta finalizojë marrëveshjen me Trump “sa më shpejt që të jetë e mundur gjatë muajit nëntor”.