
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ngritur sot një tjetër akuzë të fortë ndaj qeverisë, duke deklaruar se ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka ndërhyrë për t’i falur kompanisë “Bankers Petroleum” një detyrim prej 120 milionë eurosh.
Në një deklaratë për mediat, Shehaj publikoi një dokument të vitit 2019, ku Balluku i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me kërkesën për pezullimin e veprimeve për vjeljen e një gjobe të vendosur ndaj kompanisë.
Sipas tij, gjoba prej 120 milionë eurosh daton në vitin 2016, kur Doganat e Shqipërisë penalizuan “Bankers”-in për evazion fiskal, lidhur me mospagesën e aksizës në import.
Megjithëse autoritetet doganore janë përpjekur ndër vite të mbledhin shumën, Shehaj tha se “ndërhyrjet politike” e kanë bërë të pamundur ekzekutimin.
“Kjo është shkresa e 2019-ës ku Belinda Balluku i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Doganave dhe iu kërkon pezullim të vjeljes së 120 milionë eurove. Doganat kanë tentuar t’i marrin, por politika nuk i ka lejuar. Në momentin që ka ardhur shkresa, u është thënë: ‘mos veproni kundër Bankers’,” u shpreh Shehaj.
Ai shtoi se skandali bëhet edhe më i rëndë me vendimin e qeverisë për të përfshirë gjobat në paketën e amnistisë fiskale të propozuar nga mazhoranca.
“Pavarësisht se ka vite që këto para duhet të ishin vjelë, tashmë mazhoranca ka vendosur të bëjë amnisti për gjobat, në mënyrë që këto para të mos hyjnë kurrë në buxhet. Pse? Sepse duan t’i ndajnë mes tyre,” deklaroi ai.
Shehaj tha se situata ka ndryshuar me ndërhyrjen e SPAK-ut, i cili – sipas tij – ka hapur dosje hetimore lidhur me këtë çështje dhe ka sekuestruar dokumentacion në Ministrinë e Financave, Dogana dhe Tatime.
“Nuk është më si më parë. SPAK-u e ka marrë dosjen në hetim. Po heton këtë aferë korruptive prej 120 milionë eurosh. Po të mos ishte SPAK-u, këto para nuk do të kishin shkuar kurrë në buxhetin e shtetit,” përfundoi kreu i Partisë Mundësia.
Shehaj paralajmëroi se denoncime të tjera do të publikohen në vijim, ndërsa pritet reagimi nga ish-zëvendëskryeministrja Balluku dhe qeveria.
Deklarata e plotë e Agron Shehaj:
Kjo letër e ministres Belinda Balluku tregon sesi qeveria shqiptare i ka falur kompanisë Bankers 120 mln euro. Kjo është shkresa e 2019-ës ku Belinda Balluku i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe iu kërkon pezullim të veprimeve në lidhje me vjeljen e një shume prej 120 mln euro. Kjo gjobë dhe ky detyrim ka lindur në 2016, pasi Bankers ka marrë një gjobë nga Doganat për evazion fiskal, në lidhje me mospagesën e aksizës në import. Pavarësisht faktit që Doganat janë munduar ta vjelin këtë shumë, nuk kanë arritur kurrë t’i marrin ato para sepse politika, qeveria nuk i ka lejuar. Derisa ka ardhur momenti që ministrja Balluku i ka dërguar zyrtarisht një shkresë u ka thënë: mos veproni kundër Bankers. Por jo vetëm kaq, çfarë ka ndodhur? Pavarësisht se ka vite që këto para duhet të ishin vjelë, tani qeveria shqiptare, mazhoranca, ka vendosur të bëjë një amnisti fiskale për gjobat në mënyrë që këto para mos të shkojnë kurrë në buxhetin e shtetit. Pse? Sepse qartësisht duan t’i ndajnë me njëri-tjetrin. Por nuk është më si më përpara. SPAK-u ka marrë këtë dosje në hetim. Ka hapur një dosje në lidhje me këtë abuzim dhe ka shkuar në Ministrinë e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka mbledhur dokumenta dhe fakte dhe po heton këtë afër korruptive. Sepse do Edi Rama, s’do Edi Rama, do Balluku, s’do Balluku apo analistët e tij, apo grupi i tij dhe oligarkët e Edi Ramës, në Shqipëri po ndryshon gjithçka. Të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Afërat korruptive po hetohen. Dhe ja, në këtë rast, po flasim për një afër prej 120 mln euro, që po të mos kishte qenë për SPAK-un, këto para nuk do të kishin shkuar kurrë në buxhetin e shtetit shqiptar.