
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi në emisionin “Oponencë” se Shqipëria po përballet me skandale të përmasave të mëdha, ndërsa sipas tij, mungon plotësisht mbajtja e përgjegjësisë ndaj zyrtarëve që përfshihen në to.
Ai theksoi se, ndryshe nga vende të tjera ku qytetarët reagojnë fuqishëm ndaj abuzimeve, siç është rasti i Serbisë ku prej një viti zhvillohen protesta kundër qeverisë, në Shqipëri skandalet kalojnë pa reagim publik.
“Ne kemi një parim prej autokrati, që do të thotë se nuk ka rëndësi çfarë thoni ju, por çfarë mendoj unë. Ky është thelbi. Në Serbi, për shkak se ra stacioni i trenit, u ngrit i gjithë vendi. Ndërsa këtu, askush nuk mban përgjegjësi dhe duket se nuk kanë as frikë,” u shpreh Salianji.
Ai shtoi se abuzimet me fondet publike janë të hapura dhe të rënda, duke përmendur aferën e tunelit të Llogarasë.
“Tuneli ‘ka rënë’ me 50 milionë euro dhe ka zënë Ramën dhe Ballukun brenda,” deklaroi ai.
Salianji kujtoi edhe rrugën “Qukës-Qafë Plloçë”, që sipas tij përfaqëson një tjetër skandal të madh financiar.
“Balluku është kapur në abuzim me 50 milionë euro vetëm me një të folur. Në Shqipëri kanë ndodhur skandale të përmasave të mëdha. Ra rruga ‘Qukës–Qafë Plloçë’, kemi disa rrugë që shkojnë deri në 1.1 miliardë euro,” tha ai, duke nënvizuar se mungesa e përgjegjësisë dhe frikës së zyrtarëve po rëndon mbi qytetarët.
Në përfundim, ai theksoi se situata kërkon transparencë dhe llogaridhënie, pasi abuzimet me fonde publike po dëmtojnë drejtpërdrejt interesin e qytetarëve.