Vendosni fjalën kyçe....

Monedha e artë spanjolle e vitit 1609 thyen rekordin evropian në ankand


Një monedhë e madhe ari e prerë në vitin 1609 për Mbretin Filip III të Spanjës theu rekordet duke u bërë monedha më e vlefshme në Evropë në një shitje në ankand në Zvicër të hënën.

Pjesa unike prej 339 gramësh u shit për 2,817,500 franga zvicerane (3.49 milionë dollarë). Ajo kishte një çmim fillestar prej 2 milionë frangash zvicerane, tha shtëpia e ankandeve me bazë në Gjenevë, Numismatica Genevensis, duke konfirmuar se kishte thyer rekordin evropian për monedhën më të vlefshme.

Centen, ose 100 eskudo në një monedhë të mëparshme spanjolle, u prodhua në qytetin qendror spanjoll të Segovias nga ari i sjellë nga pushtuesit që shkuan në Amerikë ose “Botën e Re”.

Ajo u bë si një shfaqje e pasurisë dhe pushtetit mbretëror, duke barazuar pagën e shumë viteve, dhe është më e madhja në historinë moderne evropiane, tha themeluesi i shtëpisë së ankandeve, Alain Baron.

E humbur për disa shekuj, ajo u shfaq në Shtetet e Bashkuara rreth vitit 1950 ku një koleksionist i Nju Jorkut e bleu atë përpara se ta shiste tek një blerës spanjoll një dekadë më vonë. Më vonë ajo u shit në ankand tek një koleksionist tjetër, identiteti i të cilit nuk është publik.

“Ishte vërtet një dhuratë mbretërore, një dhuratë madhështore për mbretër apo mbretëresha të tjera,” tha Baron.

“Pronari i ardhshëm në njëfarë mënyre do ketë mundësinë të jetë i barabartë me një mbret pasi është një mbret që ia dha një mbreti tjetër.”

Kishte interes nga blerës në SHBA, Evropë dhe Lindjen e Mesme që kërkonin një “aset trofe”, si dhe nga institucione, tha shtëpia e ankandeve, shkruan Reuters.

Çmimi rekord i mëparshëm për një monedhë evropiane u arrit nga një monedhë 100-dukate që i përkiste dikur Ferdinandit III të Habsburgut, e cila u shit për 1.95 milionë franga zvicerane (2.42 milionë dollarë), tha drejtori i Numismatica Genevensis, Frank Baldacci.