Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin ndaj Nicolas Sarkozy për financimin e paligjshëm të fushatës së vitit 2012


Gjykata më e lartë e Francës, Cour de Cassation, ka lënë në fuqi dënimin ndaj ish-presidentit Nicolas Sarkozy për financim të paligjshëm të fushatës së tij të pasuksesshme të rizgjedhjes në vitin 2012, duke i dhënë një tjetër goditje juridike 70-vjeçarit, i cili së fundmi qëndroi pothuajse një muaj në burg në një çështje tjetër.

Sarkozy, i cili shërbeu si president nga viti 2007 deri në 2012, ishte shpallur fajtor në vitin 2021 dhe sërish në vitin 2024 për tejkalim të paligjshëm të shpenzimeve të fushatës elektorale.

Të mërkurën, Cour de Cassation konfirmoi vendimet, duke deklaruar se shkelja ishte provuar plotësisht dhe duke lënë në fuqi dënimin prej një viti burg me kusht, gjysma e të cilit është e pezulluar, përcjell Reuters.

Në një deklaratë, avokatët e Sarkozy-t thanë se ai po shqyrton mundësinë e apelimit të çështjes në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Vendimi i ri vjen disa javë pasi Sarkozy u dërgua në burg më 21 tetor, pasi u shpall fajtor në një proces tjetër që lidhej me përpjekjet e bashkëpunëtorëve të tij të afërt për të siguruar fonde nga Libia për fushatën presidenciale të vitit 2007. Ai u lirua këtë muaj në pritje të apelimit.

Ish-presidenti ka mohuar akuzat se partia e tij e atëhershme, UMP (tani Les Républicains), kishte shpenzuar gati dyfishin e kufirit ligjor prej 22.5 milionë eurosh gjatë fushatës së vitit 2012 dhe më pas kishte punësuar një kompani të afërt të marrëdhënieve me publikun për të fshehur koston e vërtetë të aktiviteteve elektorale.

Në vendimin e vitit 2021 theksohej se Sarkozy ishte vënë në dijeni të shpenzimeve të tepruara dhe se nuk kishte vepruar për t’i ndalur ato, ndërsa përgjegjësia ndaj tij nuk kërkonte miratim të drejtpërdrejtë të çdo pagese individuale.