Vendosni fjalën kyçe....

Vendimi i Strasburgut: Shkarkimi i anëtarit të Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi i padrejtë, shkel Kushtetutën


Gjykata e Strasburgut e ka gjetur të padrejtë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë vendimin për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.

Gjykata e Strasburgut thekson se shkarkimi i një gjyqtari të Gjykatës së Lartë ka pasoja shumë të rënda dhe se organet e vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk respektuan as standardet më të vogla të  transparencës, arsyetimit dhe të drejtës për mbrojtje. Sipas vendimit u konstatua shkelja e nenit 6, e drejta për një proces të drejtë.

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut u publikua nga ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.

Në statusin e tij në Facebook, ai shkruan se vendimi i Strasburgut është një shuplakë e fortë ndaj organeve të vettingut dhe anëtarëve të KPK-së e KPA-së ndërsa bën thirrje për rikthimin në detyrë të Selimit.

“Shkëlzen Selimi, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, u shkarkua nga mjeshtrat e vettingut për llogje Kavaje. Mbi bazën e këtyre llogjeve, ai i vendos në skrutinitet penal absurd për 4 vite me radhë, deri sa gjyqtarja e GJKKO Rudina Palloj, me shumë durim e profesionalizëm e gjeti atë të pafajshëm, me arsyetimin se nuk ka asnjë fakt penal të lidhur me të.

Gjykata e Strassburg sapo shpalli se shkarkimi i gjyqtarit Selimi është i padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës Shqiptar dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Një shuplakë e fortë dhe e merituar për vettingsat thashethemexhinj, por edhe për shtetin shqiptar që thashethemet i ka ngritur në nivel kushtetues.

Urime Shkëlzen Selimit!

Tani shteti të mbyllë spepin dhe të kthejë magistratin në punë se ka nevojë sistemi.”, shkruan Manjani.

Më herët Gjykata e Posaçme e kishte shpallur të pafajshëm Selimin lidhur me akuzën e SPAK-ut për refuzim për deklarim e fshehje pasurie.