
Dy alpinistë kanë vdekur në Aoraki, maja më e lartë e Zelandës së Re, dhe dy të tjerë nga i njëjti grup u shpëtuan, thanë autoritetet të martën.
Trupat e alpinistëve të vdekur janë gjetur dhe kërkuesit po punonin për t’i nxjerrë ata “në një mjedis sfidues alpin,” tha zyrtarja e policisë Vicki Walker. Asnjë nga alpinistët nuk është identifikuar publikisht, por Shoqata e Udhëzuesve Malorë të Zelandës së Re tha në një deklaratë se njëri nga të vdekurit ishte anëtar i organizatës së tyre dhe tjetri ishte klienti i tij.
Rreshteri Kevin McErlain tha se dyshja ishte lidhur me një litar kur ranë pranë majës së Aorakit, i njohur edhe si Mali Cook.
Autoritetet mësuan të hënën vonë natën me orën lokale se katër alpinistë kishin nevojë për ndihmë në mal, i cili ndodhet në Ishullin e Jugut të Zelandës së Re. Dy nga alpinistët u shpëtuan me helikopter në orët e para të mëngjesit të së martës, tha Walker.
Ata ishin të padëmtuar. Kërkuesit me dy helikopterë kërkuan gjatë gjithë natës për alpinistët e tjerë, të cilët u gjetën të vdekur disa orë më vonë.
Aoraki është 3,724 metra i lartë dhe është pjesë e Alpeve Jugore, vargut malor piktoresk dhe të akullt që shtrihet në gjatësinë e Ishullit të Jugut. Një vendbanim me të njëjtin emër në bazën e tij është një destinacion për turistët vendas dhe të huaj.
Maja është e popullarizuar në mesin e alpinistëve me përvojë. Terreni i tij është teknikisht i vështirë për shkak të çarjeve, rrezikut nga orteqet, motit të ndryshueshëm dhe lëvizjes së akullnajave, shkruan CNN.