
FBI ka kërkuar të hetojë gjashtë ligjvënës demokratë të Kongresit amerikan, të cilët publikuan një video ku u kujtonin ushtarakëve se ata kanë të drejtë të refuzojnë urdhrat e paligjshëm.
Lajmi u konfirmua për Reuters nga një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë.
Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi Pentagoni kërcënoi të rikthejë në detyrë aktive senatorin Mark Kelly, veteran i Marinës dhe një nga autorët e videos, për t’u përballur me akuza të mundshme ushtarake.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi veprimin e tyre si “kryengritës”, ndërsa Presidenti Donald Trump i akuzoi gjashtë demokratët për tradhti dhe tha se “krimi dënohet me vdekje”.
Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë deklaroi se intervistat e FBI-së synojnë të përcaktojnë “nëse ka ndonjë shkelje dhe më pas të veprohet”. FBI drejtohet aktualisht nga Kash Patel, i emëruar nga Trump.
Senatorja Elissa Slotkin reagoi duke thënë se veprimi i FBI-së është përpjekje për t’i heshtur. “Presidenti drejton FBI-në kundër nesh dhe pikërisht për këtë arsye e bëmë videon,” u shpreh ajo.
“Kjo nuk është Amerika që njoh. Nuk do të lejoj që ky hap i radhës më ndalojë së foluri për vendin tim dhe Kushtetutën.”
Të katër kongresmenët e tjerë, Jason Crow, Maggie Goodlander, Chris Deluzio dhe Chrissy Houlahan, të gjithë veteranë, lëshuan një deklaratë të përbashkët ku akuzuan Trump për përdorim të FBI-së si mjet presioni ndaj Kongresit, duke theksuar se “nuk do të heshtin”. Mark Kelly nuk komentoi.
Ligjvënësit theksuan se mesazhet e tyre përputhen me ligjin, pasi trupat amerikane betohen ndaj Kushtetutës dhe kanë detyrimin të zbatojnë vetëm urdhrat e ligjshëm.
Videoja nuk përmendte një rast specifik, megjithatë demokratët kanë ngritur shqetësime për ligjshmërinë e urdhrave të administratës Trump për goditjen e anijeve në Amerikën Latine, të cilat Pentagoni i justifikon duke i cilësuar trafikantët si terroristë. Ata kanë vënë në pikëpyetje edhe përdorimin e ushtrisë në qytetet amerikane.
Raportime të mëparshme, përfshirë ato të Fox News, theksojnë se administrata Trump ka thyer normat demokratike duke përdorur agjencitë ligjzbatuese kundër kritikëve të saj.
Departamenti i Drejtësisë ka ngritur muajt e fundit disa akuza penale ndaj kundërshtarëve të Presidentit, megjithëse një gjyqtar rrëzoi dy prej tyre këtë të hënë.
Ndërkohë, ekspertët juridikë theksojnë se në ligjin amerikan nuk ekziston akuza e tradhtisë për civilët, ndërsa “konspiracioni seditioz” dënohet deri në 20 vjet burg. Për ushtarakët, Kodi i Drejtësisë Ushtarake parashikon akuza për sedicion me ndëshkim të mundshëm deri në dënim me vdekje.