
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, ka zhvilluar sot një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn. Përmes një reagimi në Facebook, Bardhi theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i çmuar i Shqipërisë dhe se bashkëpunimi me to është kyç për të ardhmen demokratike të vendit.
Ai theksoi se e vetmja rrugë që mund ta çojë Shqipërinë përpara si vend i zhvilluar dhe partner i denjë i SHBA-ve është lufta e vërtetë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Postimi:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë dhe ne jemi me fat që i kemi patur gjithmonë në krah, në çdo etapë të ekzistencës së shtetit shqiptar.
Sot, gjatë takimit me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike.
Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.