Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtarët izraelitë druhen se marrëveshjet sekrete për paqen në Gaza do lejojnë Hamasin të mbajë armët e pushtetin


Besimi se grupi terrorist ka pranuar planin e Trump pas garancive sekrete nga ndërmjetësit dhe emisarët amerikanë se do ruajë ndikimin dhe pjesë të arsenalit në Gaza, ka ngritur frikën se Izraeli mund të mos e arrijë objektivin për t’i dhënë fund sundimit të tij mbi enklavën.

Institucioni i mbrojtjes i Izraelit dyshon se muajin e kaluar janë arritur mirëkuptime sekrete me shtrirje të gjerë midis ndërmjetësve ndërkombëtarë dhe Hamasit, duke bindur krerët e lartë të grupit terrorist që të bien dakord më 3 tetor për lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë dhe të diskutojnë zbatimin e “planit me 20 pika” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, sipas zyrtarëve izraelitë të njohur me vlerësimet.

Zyrtarët e sigurisë thonë se negociatorët nga Turqia, Katari dhe Egjipti i paraqitën Hamasit kushte që grupi “nuk mund t’I hidhte poshtë” si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta shtyrë atë të pranonte ultimatumin e Trump dhe të shmangte kundërshtimin e drejtpërdrejtë të planit.

Në bazë të mirëkuptimeve të dyshuara, ndërmjetësit – duke folur gjithashtu në emër të Shteteve të Bashkuara – i thanë Hamasit se nëse lironte të gjithë pengjet e mbetur brenda 72 orësh dhe bashkëpunonte me pjesën tjetër të planit të Trump, operativët e grupit, duke përfshirë personat e armatosur dhe anëtarët e Xhihadit Islamik Palestinez, do lejoheshin të qëndronin në Rripin e Gazës si civilë. Izraeli ka kërkuar që udhëheqja e Hamasit të largohet nga territori.

Ky rregullim do t’i lejonte Hamasit të mbijetonte në Gaza si një fuqi prapa skenave edhe nëse dorëzonte kontrollin formal.

Shqetësimet rreth çarmatimit

Zyrtarët izraelitë janë alarmuar se çarmatosja e Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës mund të ndodhë nëpërmjet pëlqimit dhe jo me forcë, bazuar në kushtet e negociuara nga ndërmjetësit – veçanërisht Egjipti – me organizatën militante. Një forcë e propozuar shumëkombëshe për stabilizim, e njohur si ISF, do luante një rol në çarmatim, por nuk do autorizohej të përdorte forcën.

Në këto kushte, Hamas mund të këmbëngulte për dorëzimin vetëm të armëve “sulmuese” si raketa, dronë dhe eksplozivë, ndërsa do mbante armët “mbrojtëse”, duke përfshirë pushkë, mitralozë dhe granatahedhës. Zyrtarët paralajmërojnë se kjo do t’i mundësonte Hamasit dhe Xhihadit Islamik të ruanin një aftësi guerrile nën flamurin e “rezistencës” kundër Izraelit.

Hamas gjithashtu hodhi idenë e veçantë ditët e fundit për të “depozituar” armët e tij tek Autoriteti Palestinez për ruajtje. AP e hodhi poshtë idenë, por pritet që Hamas të vijojë të shtyjë për rregullime që i lejojnë atij të bëjë luftë guerrile brenda Gazës dhe potencialisht më vonë kundër civilëve izraelitë.

Garanci të drejtpërdrejta nga ekipi i Trump

Pasi u arritën mirëkuptimet sekrete me ndërmjetësit, Hamas kërkoi garanci të drejtpërdrejta nga Trump. Në një takim të ndërmjetësuar nga Katari, i dërguari presidencial Steve Witkoff dhe Jared Kushner siguruan figurën e lartë të Hamasit, Khalil al-Hayya, se Trump ishte i përkushtuar për zbatimin si të planit me 20 pika, ashtu edhe të premtimeve të pashkruara të dorëzuara nga ndërmjetësit. Zyrtarët izraelitë thonë se kjo ishte pika e kthesës që e çoi Hamasin në pranimin e lirimit të pengjeve.

Por garancitë e dyshuara i dhanë gjithashtu Hamasit një mundësi për të ruajtur ndikimin politik dhe ushtarak në Gaza, edhe nëse përfundimisht largohej nga sundimi formal. Grupi pritet të mbajë një krah të armatosur të konsiderueshëm që mund të rindërtojë tunele, punishte dhe infrastrukturë tjetër, si dhe të vazhdojë të paguajë 20,000 deri në 25,000 luftëtarët që rekrutoi së fundmi.

Dilema strategjike e Izraelit

Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu mund të tregojë përparim në një qëllim lufte të vendosur pas 7 tetorit: kthimin e shumicës së pengjeve të mbijetuar. Por zyrtarët e sigurisë paralajmërojnë se nëse zbatohen garancitë sekrete, Izraeli mund të duhet të heqë dorë nga objektivi i tij kryesor i luftës për çmontimin e sundimit civil dhe ushtarak të Hamasit në Gaza.

Zyrtarët thonë se për sa kohë që Hamas mbetet i aftë të rindërtojë arsenalin e tij, mizoritë e 7 tetorit mund të përsëriten.

Nga këndvështrimi i sigurisë izraelite, pamja është shqetësuese. Nuk ka asnjë afat kohor funksional – madje as për vitin e ardhshëm – për të çarmatosur plotësisht Hamasin ose demilitarizuar Gazën. Hamasi u ka thënë ndërmjetësve se nuk do çarmatoset, duke ofruar vetëm “riorganizimin” e arsenalit të tij, një term që zyrtarët izraelitë thonë se është një eufemizëm për ruajtjen e marrjes së shpejtë të armëve. Ata vënë në dukje se Hamas nuk do kishte vendosur kushte të tilla pa besuar se tashmë kishte siguruar zotime të forta nga ndërmjetësit dhe nga ëitkoff.

ISF ende nuk është krijuar. Ndërkohë, ndihma humanitare po rrjedh në zonat e kontrolluara nga Hamas, dhe planifikimi i hershëm për rindërtimin ka filluar vetëm në pjesën lindore të Rripit të kontrolluar nga Izraeli.

Gaza e ndarë

Sipas vlerësimeve të bazuara në punën në qendrën e bashkërendimit amerikano-izraelit në Kiryat Gat, SHBA synon ta mbajë Gazën të ndarë për një periudhë të gjatë midis një “zone të kuqe” të kontrolluar nga Hamas, ku banojnë afërsisht 2 milionë palestinezë, dhe një “zone të gjelbër” të kontrolluar nga Izraeli, me 200,000 deri në 300,000 banorë.

Komanda Qendrore e SHBA-së është përqendruar në shpërndarjen e ndihmës humanitare në zonën e kuqe, pavarësisht sekuestrimeve të vazhdueshme të furnizimeve nga Hamas dhe në inteligjencën ajrore. Ajo nuk po planifikon rindërtimin, çarmatimin ose largimin e infrastrukturës së Hamasit brenda zonave të kontrolluara nga Hamas në të ardhmen e afërt.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet