
Pentagoni njoftoi të hënën se po heton Senatorin Demokrat Mark Kelly për shkelje të mundshme të ligjit ushtarak, pasi ish-piloti i Marinës iu bashkua një grushti ligjvënësish në një video që u bënte thirrje trupave të mos u bindeshin “urdhrave të paligjshëm”.
Deklarata e Pentagonit, e postuar në rrjetet sociale, citoi një ligj federal që lejon anëtarët e shërbimit në pension të thirren në detyrë aktive me urdhër të Sekretarit të Mbrojtjes për të dalë para Gjykatës Ushtarake.
Është një veprim i jashtëzakonshëm për Pentagonin, i cili, derisa në mandatin e dytë të presidentit Donald Trump kishte shmangur me kujdes veprimet dhe shfaqjen si apolitik, të kërcënojë drejtpërdrejt një anëtar të Kongresit me hetim.
Kjo vjen pasi Trump e ashpërsoi retorikën javën e kaluar duke akuzuar ligjvënësit për kryengritje”e dënueshme me VDEKJE” në një postim në rrjetet sociale ditë pasi u publikua videoja, shkruan AP.
Në deklaratën e tij të hënën, Pentagoni sugjeroi se deklaratat e Kelly-t në video ndërhynin në “besnikërinë, moralin, rendin dhe disiplinën e mirë të forcave të armatosura” duke cituar ligjin federal që ndalon veprime të tilla.
“Është nisur një shqyrtim i plotë i këtyre akuzave për të përcaktuar veprime të mëtejshme, të cilat mund të përfshijnë thirrjen në detyrë aktive për procedurat e gjykatës ushtarake ose masat administrative,” thuhej në deklaratë.
Në videon e postuar të martën e kaluar, Kelly ishte një nga gjashtë ligjvënësit demokratë që kanë shërbyer në ushtri ose komunitetin e inteligjencës që iu drejtuan “drejtpërdrejt anëtarëve të ushtrisë”. Ligjvënësit e tjerë janë Senatorja Elissa Slotkin dhe Përfaqësuesit Jason Croë, Chris Deluzio, Maggie Goodlander dhe Chrissy Houlahan, të cilët shihen si aspirantë të mundshëm për poste më të larta në të ardhmen dhe e ngritën profilin e tyre politik me ekspozimin e gjerë të videos.
Kelly, i cili ishte një pilot luftarak përpara se të bëhej astronaut dhe më pas të dilte në pension me gradën e kapitenit, u tha trupave se “ju mund të refuzoni urdhrat e paligjshëm,” ndërsa ligjvënësit e tjerë në video thanë se kishin nevojë që trupat “të mbrojnë ligjet tona, Kushtetutën tonë.”