
Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Bashkimit Europian që të zbutojë mënyrën e zbatimit të rregullave të saj digjitale, nëse Brukseli dëshiron ulje të mëtejshme të tarifave ndaj çelikut dhe aluminit europian. Kjo u bë e ditur pas një takimi të zhvilluar të hënën në Bruksel mes zyrtarëve amerikanë dhe përfaqësuesve të BE-së, përcjell Euronews.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, tha se Uashingtoni është i gatshëm të reduktojë tarifat, por vetëm nëse BE-ja “ribalanczon” mënyrën se si zbaton politikat e saj digjitale, të cilat SHBA i konsideron shumë të rrepta ndaj kompanive amerikane të teknologjisë. Ai sqaroi se nuk kërkon heqjen e rregullave, por një qasje “më të ekuilibruar”.
BE-ja po kërkon me ngulm lehtësimin e tarifave 50% të vendosura nga administrata Trump ndaj çelikut dhe aluminit europian që prej qershorit, pasi sektori industrial po përballet me presion të madh.
“Ne nuk po kërkojmë t’i hiqni këto rregulla,” tha Lutnick në Bruksel, “por të gjeni një qasje të balancuar që funksionon edhe për ne. Pastaj, së bashku, do të trajtojmë çështjet e çelikut dhe aluminit.”
Lutnick dhe përfaqësuesi i SHBA-së për tregtinë, Jamieson Greer, zhvilluan një drekë pune me ministrat e tregtisë së BE27 dhe zyrtarët e Komisionit Europian, ku në qendër të bisedës ishte zbatimi i marrëveshjes tregtare të arritur gjatë verës.
Marrëveshja mes BE-së dhe SHBA-së, e firmosur në korrik, triplikoi tarifat amerikane ndaj mallrave europiane, ndërsa BE pranoi t’i ulte në 0% shumicën e tarifave për mallrat industriale amerikane. Megjithatë, tarifat për çelikun dhe aluminin europian mbeten në nivelin 50%.
Në një takim të ndarë, Lutnick dhe Greer u takuan edhe me Komisioneren e Teknologjisë së BE-së, Henna Virkkunen, e cila nënvizoi rëndësinë e ligjeve kryesore digjitale të BE-së: Aktit për Tregjet Digjitale (DMA) dhe Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA). Komisioni nuk dha asnjë shenjë se është gati t’i zbusë ato.
Për t’i bërë ballë presionit nga SHBA, Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, tha se Brukseli po punon për të shpjeguar qartë rregullat e veta dhe theksoi se ato nuk diskriminojnë kompanitë amerikane, por zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Megjithatë, pala amerikane pretendon të kundërtën.
“Zbatimi i këtyre rregullave është mjaft agresiv në disa raste,” tha Greer, duke theksuar se SHBA kërkon që kompanitë amerikane të mos dëmtohen nga rregulloret e huaja që mund të prekin të ardhurat e tyre globale.
Aktualisht, Komisioni Europian ka hapur hetime ndaj Amazon dhe Microsoft sipas DMA-së, ndërsa Google është goditur me një gjobë prej 2.95 miliardë eurosh në kuadër të rregullave antitrust, pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA.