Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina godet termocentralin e Moskës, mijëra banorë mbeten pa ngrohje


Ukraina sulmoi të dielën një termocentral të madh të ngrohjes dhe energjisë në rajonin e Moskës me dronë, duke shkaktuar një zjarr masiv dhe duke ndërprerë furnizimin me ngrohje për mijëra banorë, një nga goditjet më të thella të Kievit brenda territorit rus që nga nisja e luftës.

Sulmi ndodhi ndërsa lufta, tashmë në vitin e katërt, ka parë Rusinë të intensifikojë goditjet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës, ndërsa Kievi deri më sot ishte fokusuar kryesisht në goditjen e rafinerive dhe infrastrukturës së naftës së Rusisë, përcjell Reuters.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobjov, tha se dronët ukrainas goditën Termocentralin Shatura, rreth 120 kilometra në lindje të Kremlinit.

Pamjet e publikuara në Telegram shfaqnin topa të mëdhenj zjarri dhe tym të zi që ngrihej në qiellin e natës. Reuters verifikoi vendndodhjen e videos, por jo datën.

Vorobjov deklaroi se një pjesë e dronëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, por disa ranë drejtpërdrejt në zonën e termocentralit.

“Disa nga dronët u shkatërruan nga mbrojtja ajrore. Disa ranë në territorin e stacionit. Në objekt shpërtheu zjarr,” tha ai.

Sipas tij, tre transformatorë morën flakë dhe ekipet e emergjencës nisën instalimin e sistemeve të përkohshme të ngrohjes, pasi temperaturat në zonë ishin pranë zeros.

“Po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ngrohje,” tha ai.

Qyteti Shatura ka rreth 33 mijë banorë dhe shumë prej tyre raportuan mungesë të plotë të ngrohjes.

Nuk ka ende një koment nga autoritetet ukrainase, por sulmi shënon një ngritje të qartë të objektivave të Kievit, i cili deri më tani kishte prekur sporadikisht impiante të energjisë në rajonet ruse pranë kufirit dhe zonat ukrainase të pushtuara, por jo objektiva madhorë në qendrën e Rusisë.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se gjatë natës kishte rrëzuar 75 dronë ukrainas, përfshirë 36 mbi Detin e Zi dhe disa mbi rajonin e Moskës. Aeroporti Vnukovo në Moskë pezulloi fluturimet për rreth një orë.

Termocentrali Shatura, një nga më të vjetrit në Rusi, është ndërtuar në kohën e Vladimir Leninit dhe fillimisht funksiononte me torfë; sot operon kryesisht me gaz natyror.

Në javët e fundit, qytetet ukrainase kanë përjetuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë për shkak të sulmeve ruse, ndërsa Kievi po përpiqet të dëmtojë ekonominë e luftës ruse duke goditur të ardhurat nga nafta.

Në këtë sulm, për herë të rrallë, objektivi ka qenë zemra e infrastrukturës energjetike të Moskës, e cila furnizon një rajon me mbi 22 milionë banorë.