Vendosni fjalën kyçe....

Shembja e Qukës–Qafë Plloçë, Blushi: Varr monumental korrupsioni, 260 milionë euro


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar sot pas shembjes së aksit Qukës–Qafë Plloçë, një segment i inauguruar disa herë nga kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja Belinda Balluku, dhe i hapur për qarkullim vetëm dy muaj më parë.

Nga selia e PL, Blushi e cilësoi shembjen një tjetër provë të korrupsionit në projektet infrastrukturore të qeverisë, duke thënë se: “Aksi i inauguruar tre herë dhe i hapur zyrtarisht vetëm dy muaj më parë u shndërrua sot në një tjetër provë ulëritëse të korrupsionit me ‘rrugët e florinjta’ që rrëzohen si thes kashte, edhe pse ndërtohen pesë deri në gjashtë herë më shtrenjtë se kudo në rajon.”

Blushi tha se shembja ishte një katastrofë e paralajmëruar, që për fat të mirë nuk shkaktoi viktima.

“Nga sot, rruga Qukës–Qafë Plloçë, për të cilën u deshën 14 vite dhe 260 milionë euro, është një varr monumental korrupsioni. Një katastrofë e përsëritur dhe e paralajmëruar, që për fat nuk mori jetë njerëzish.”

Ai krahasoi situatën me shembjen e rrugës Korçë–Ersekë dhe aferën e Tunelit të Llogarasë.

 “Shembja e kësaj rruge, pas asaj Korçë–Ersekë dhe pas shpërthimit të aferës së Tunelit të Llogarasë, ku Rama–Balluku vodhën dhjetëra milionë euro, tregon se veprat ‘madhështore’ të kësaj qeverie nuk janë autostrada, tunelet apo urat moderne, por gropat e zeza të korrupsionit skizofrenik.”

Blushi akuzoi drejtësinë për heshtje dhe mungesë veprimi.

“Gropat e korrupsionit thellohen sa kohë drejtësia mbyll sytë. Qindra milionë euro që duhej të shkonin për pensione, paga më të larta dhe bujqësi përfundojnë në rrugë të florinjta që shemben pas çdo shiu.”- u shpreh ai.

Ai shtoi se shembja nuk do të kishte ndodhur nëse do të ishte hetuar rruga Korçë–Ersekë.

“Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse drejtësia do të kishte hetuar aferën e Korçë–Ersekë. Edhe hetimet e tunelit të Llogarasë, të kufizuara vetëm te Balluku dhe jo te Rama, tregojnë se projekte të tjera do të kenë të njëjtin fat.”- tha Blushi.

Blushi e mbylli deklaratën me një akuzë direkte ndaj kryeministrit Rama.

“Në këtë regjim, ku prioritet është korrupsioni, Edi Rama është ideatori dhe përfituesi kryesor i çdo afere. Pa hetuar dhe pa marrë të pandehur Edi Ramën, askush s’duhet të ketë iluzionin se ka drejtësi të pavarur në këtë vend.”