
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar qeverinë se është përgjegjëse për përmbytjet e ditëve të fundit, që kanë prekur zona të shumta të vendit. Në një deklaratë publike, Blushi tha se situata nuk lidhet me “dënime natyrore”, por me “keqadministrim dhe mungesë përgjegjshmërie”.
Sipas tij, fondi prej 55 milionë eurosh i akorduar këtë vit për emergjencat civile është “shumë i ulët” për të përballuar krizat e shkaktuara nga reshjet intensive. Ai shtoi se ndërkohë që fondet për emergjencat mbeten të kufizuara, 75 milionë euro janë “vjedhur”, sipas tij, në aferën e tunelit të Llogarasë—çështje për të cilën SPAK po heton ish–zv.kryeministren Belinda Balluku, aktualisht e pandehur dhe e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO.
Blushi deklaroi se nga veriu në jug, dhjetëra familje janë përballur me dëme të mëdha në banesa, tokë bujqësore dhe bagëti, ndërsa akuzoi strukturat shtetërore për mungesë reagimi në terren.
Qeveria nuk ka dhënë ende një përgjigje ndaj akuzave të Partisë së Lirisë.