Vendosni fjalën kyçe....

Moti i keq përmbyt zona të gjera në disa qarqe, Semani del nga shtrati, Dimali pa ujë të pijshëm



Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë prej disa ditësh, duke shkaktuar përmbytje masive dhe dëme të shumta materiale. Qindra hektarë tokë janë zhytur nën ujë, ndërsa situata mbetet e tensionuar në disa qarqe.

Problematika më e madhe paraqitet në zonat Fier-Vlorë, ku lumi Seman ka arritur pikën kritike dhe ka përmbytur sipërfaqe të gjera. Ekspertët paralajmërojnë se nëse reshjet vijojnë, situata mund të përshkallëzohet dhe të krijojë vështirësi të mëtejshme për banorët e zonave të prekura.

Gjendja paraqitet më e qetë në rrjedhat e Vjosës dhe Shkumbinit, ndërsa niveli i ujit po bie gradualisht edhe në urën e Mifolit. Në Berat, përmbytjet nga lumi Osum kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke përfshirë ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm. Bashkia Dimal njoftoi se uji nuk është i pijshëm dhe ekipet e Emergjencave po punojnë për pastrimin e baltës dhe ujërave pas tërheqjes së lumit.