Vendosni fjalën kyçe....

Borrell: Kosovën e Serbinë nuk duhet ta gjejë 21 nëntori pa marrëveshje për targat


“Mund të them që jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit dhe të dyja palët duhet që urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve”, tha në një konferencë për media, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Ai tha se 21 nëntori nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat, ose siç tha, “do të kemi situatë të rrezikshme”.

Borrell tha se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë në Bruksel sonte për të biseduar për çështjen e targave, dhe se po ashtu pritet të ketë bisedime edhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç.

“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se do të nisë gjobitjen e shoferëve që kanë targa të lëshuara nga Serbia nga data 21 nëntor.

Borrell tha më herët gjatë ditës se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.

“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë [palët]”, tha Borrell para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, që u mbajt në Bruksel.

As pas takimit, ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi, por falenderoi Francën dhe Gjermaninë për ndihmën.

Borrell tha se Kosova e Serbia janë në udhëkryq, dhe se “duhet të vendosin nëse duan të shkojnë në të kaluarën, apo drejt BE-së”.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë aktualisht janë të larta, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.

Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, ndërsa Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.