Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi – Ramës: Citimet e juristëve nuk fshehin mbrojtjen e Ballukut të pandehur



Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas postimit të kryeministrit Edi Rama, i cili nxori citime të ish-prokurorit amerikan Robert H. Jackson në lidhje me rastin ‘Balluku’.

Bardhi tha se çdo herë që Rama citon juristë të mëdhenj, është shenjë se ndodhet në hall, ndërsa realisht po bën rolin e avokatit të “korrupsionit të paimagjinueshëm të qeverisjes së tij”.

“Reagimi i Ramës, i mbështetur tek figura e Robert H. Jackson, nuk është asgjë më shumë sesa një përpjekje e dështuar për t’i shpëtuar përgjegjësisë politike dhe ligjore që bie mbi të dhe mbi Belinda Ballukun, të pandehurën e tij kryesore”, tha Bardhi.

Sipas tij, kryeministri nuk ka të drejtë të japë leksione për drejtësinë, ndërsa mban në krah një ministre të pandehur nga SPAK. Ai theksoi se, në Europë, një ministër i pandehur dorëhiqet, ndërsa kryeministri nuk e mbron, por e shkarkon.

Bardhi u shpreh se nëse Rama do të ishte vërtet nxënës i mësimeve të Jacksonit, nuk do të mbante Ballukun në detyrë, nuk do përdorte gjuhën e viktimizimit kundër drejtësisë dhe nuk do bënte avokatinë e një zëvendëskryeministreje të akuzuar për abuzim me tenderat.

“Citimet dhe fjalimet juridike nuk e fshehin faktin se Rama është peng i të pandehurës Belinda Balluku. Kjo është formula që funksionon brenda sistemit korruptiv të tij: ‘nëse zhytem unë, zhytesh edhe ti’. Pushteti që citon Jacksonin, por mohon drejtësinë, nuk është i denjë. Edi Rama është një i korruptuar i frikësuar”, përfundoi Bardhi.