
Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në Pallatin e Brigadave Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në samitin “Growth Plan – Our pathway to EU”. Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet mbi integrimin ekonomik, planin e rritjes dhe perspektivën e rajonit në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, gjatë pritjes së komisioneres, ka pasur sërish replika mes kryeministrit dhe gazetarëve lidhur me çështjen e ministren Belinda Balluku. Një gazetare e pyeti Ramën nëse ai do ta shkarkojë Ballukun, pas vendimeve të GJKKO-së një ditë më parë.
Rama reagoi duke kritikuar gazetaren për momentin e pyetjes:
“Kaq të vështirë e keni të respektoni kohën? Këtu jemi për të parë dhe ndjekur ardhjen e miqve sot, në një ditë kaq të rëndësishme për këtë vend. Më pas mund t’i bëni të gjitha pyetjet. Kjo ‘hapni vendin, se do të hidhem’, nuk shkon,” tha ai.
Kujtojmë se një ditë më parë GJKKO vendosi dy masa sigurie për Ballukun: pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.