Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama i tmerruar nga SMS-të e Lubisë për tunelin


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar Ramën se po përpiqet të shpëtojë veten nga hetimet për tunelin e Llogarasë.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se Rama është “i tmerruar nga Lubi Balkuku dhe SMS-të që ajo i ka dërguar Ervis Berberit për tunelin e Palloshit të gjatë”, duke iu referuar projektit të tunelit të Llogarasë, tashmë nën hetim nga SPAK.

Deklarata e tij vjen pasi Rama u shpreh publikisht se: “Sa të jem unë këtu, nuk do të shihni luftëra me drejtësinë apo akuza. Por ka një kufi, kufirin kushtetues mes pushteteve të pavarura, dhe nëse lejojmë shkeljen e tij, kemi humbur diçka themelore për rendin kushtetues të republikës.”

Berisha e interpreton këtë si një mesazh të koduar për Ballukun, duke shkruar se Rama po i kujton ish-zv.kryeministres se “Kushtetuta është mbi gjithçka dhe askush nuk shmang përgjegjësitë e ligjit”.

Ai shton se Balluku është përdorur si “kurbani politik” dhe se kryeministri po përpiqet të largojë vëmendjen nga përgjegjësitë e tij direkte në projektet e mëdha nën hetim.

Në fund të reagimit të tij, Berisha shkruan: “Edvin, asgjë në botë nuk të shpëton nga krimet tua të rënda.”