Vendosni fjalën kyçe....

Autoportreti i Frida Kahlo-s shitet për shumën rekord 54.7 milionë dollarë


Një autoportret i artistes meksikane Frida Kahlo është bërë vepra më e vlefshme e një artisteje femër e shitur në ankand, pasi kapi 54.7 milionë dollarë.

“El sueno (La cama)” – “Ëndrra (Shtrati)”, vuri rekordin në Sotheby’s në Nju Jork, pasi tejkaloi rekordin ekzistues të mbajtur nga artistja e ndjerë amerikane, Georgia O’Keeffe. Vepra e saj “Jimson Weed/White Flower No.1”, e cila më parë kishte qenë e ekspozuar në Shtëpinë e Bardhë, u shit për 44.4 milionë në vitin 2014.

Autoportreti surrealist i Kahlo-s, i cili u shit nga një koleksionist privat, ishte vlerësuar midis 40 milionë dhe 60 milionë dollarë. Një tjetër autoportret i artistes meksikane, “Diego y yo” (Diego dhe unë), mbajti më parë titullin për veprën e dytë më të shtrenjtë të shitur nga një artiste femër, pasi u shit në ankand gjithashtu nga Sotheby’s, Nju Jork, në vitin 2021.

Përpara ankandit, piktura, e cila nuk ishte parë publikisht për pothuajse tre dekada, u shfaq në Londër, Abu Dabi, Hong Kong, Paris dhe Nju Jork.

Ajo tregon Kahlo-n shtrirë në një shtrat që noton kundër sfondit të një qielli të zbehtë blu. Hardhi jeshile kacavjerrëse i mbështjellin trupin, ndërsa një skelet i lidhur me dinamit dhe që mban një buqetë me lule të thata ndodhet sipër saj.

Shtrati ishte një motiv i rregullt në veprën e Kahlo-s. Ajo ishte e kufizuar në shtratin e saj për periudha të gjata kohore pasi përjetoi një jetë me dhimbje kronike pas një aksidenti me autobus gati fatal dhe operacioneve të mëvonshme.

Gjatë shërimit të gjatë pas aksidentit, familja e Kahlo-s i vendosi një kavalet të përshtatur dhe një pasqyrë në majën e shtratit, në mënyrë që ajo të mund të vazhdonte të pikturonte ndërsa ishte shtrirë, shkruan CNN.

“Nuk jam e vdekur dhe kam një arsye për të jetuar. Ajo arsye është piktura,” shkroi ajo në atë kohë.

Kahlo e pikturoi veprën në vitin 1940, e cila ishte një kohë e turbulluar për artisten meksikane. Ishte viti kur ajo u rimartua me Diego Rivera-n pasi u divorcua nga bashkëartisti një vit më parë, dhe ishte gjithashtu viti kur ish-i dashuri i saj, revolucionari rus Leon Trosky, u vra.

Në një email dërguar CNN-it para ankandit, Anna Di Stasi, drejtoresha e artit Latin-Amerikan në Sotheby’s, tha se “El sueno (La cama)” kishte qenë “një nga shumë pak veprat e këtij kalibri që ende mbahej në duar private.”

“Frida Kahlo zë një vend krejtësisht të veçantë në historinë e artit. Ekziston një lidhje pothuajse shpirtërore që njerëzit kanë me pikturat e saj, të cilat janë kaq thellësisht personale, por në të njëjtën kohë rezonojnë në mënyrë universale. E kemi parë këtë sezon ndërsa El sueno (La cama) ka qenë e ekspozuar në mbarë botën, me radhë që dilnin jashtë dyerve,” tha ajo.

“Kjo pikturë ka të gjitha tiparet dalluese të vepre nga Frida Kahlo: autoportretin, pamjet surrealiste dhe, më e rëndësishmja, një intensitet psikologjik dhe atë ndjenjë bashkimi midis artistes dhe shikuesit.”

Piktura formoi pjesë të ankandit të koleksionit privat “Exquisite Corpus”. Ai përfshiu më shumë se 80 piktura, vizatime dhe skulptura surrealiste, përfshirë vepra nga René Magritte dhe Salvador Dali.