
Prokuroria ka ngritur të enjten akuza ndaj Rafael Reuveni, 22 vjeç, nga Be’er Sheva, për kontakt me një agjent iranian dhe për kryerje detyrash në këmbim të pagesës, ndërkohë që shërbente në ushtrinë izraelite.
Sipas aktakuzës, Reuveni komunikonte me operativin iranian përmes aplikacionit të koduar Telegram dhe pranonte detyra të ndryshme për para. Ai dërgonte selfie dhe adresën e tij, më pas edhe foton e ID-së ushtarake, duke marrë pagesa të vogla si shenjë angazhimi, përcjell Ynet.
Mes detyrave që ai dyshohet se kryente ishin: fotografimi i një parku lokal dhe një ndalesë autobusi, dokumentimi i aktiviteteve në një qendër tregtare dhe mbledhja e informacioneve rreth bazës së tij ushtarake, duke përfshirë përllogaritje për personelin dhe procedurat emergjente.
Ai gjithashtu u kërkua të ofronte emrat e të tjerëve që mund të rekrutoheshin nga inteligjenca iraniane.
Reuveni pranoi rreth 2,700 dollarë përmes një portofoli dixhital dhe akuzohet për kontakt me agjent të huaj, shpërndarje informacioni ndaj armikut dhe dhënie të informacionit që mund të favorizonte armikun. Ai u arrestua muajin e kaluar në një operacion të përbashkët të Shin Bet dhe njësisë kundërterrorizmit të Policisë së Rajonit Jugor.
Një rast i ngjashëm përfshinte Shimon Azarzar, 27 vjeç, nga Kiryat Motzkin, i cili përdori shërbimin rezerv të partneres së tij për të dërguar informacione të klasifikuara dhe pamje nga baza e Forcës Ajrore izraelite në Ramat David drejt Iranit.
Ai gjithashtu pranoi pagesa në kriptomonedhë për detyra të kryera dhe u arrestua në tetor bashkë me partneren e tij, e cila mbetet në paraburgim.
Shin Bet dhe Policia izraelite paralajmërojnë qytetarët kundër kontaktit me elemente të huaja ose kryerjes së detyrave në favor të tyre, duke theksuar se kjo përbën një shkelje serioze penale dhe rrezikon sigurinë kombëtare.