
Presidenti i SHBA, Donald Trump, u takua të enjten në Shtëpinë e Bardhë me 17 ish-pengje të liruar së fundmi dhe familjet e tyre, të cilët mbërritën në Washington për t’u pritur nga presidenti dhe zyrtarë të lartë amerikanë. Gjatë deklaratës së tij, Trump i quajti pengjet “heronj”, ndërsa solli në vëmendje historinë e Matan Angrest, i cili sipas tij ishte përballur me dhunë të rëndë gjatë robërisë, përcjell JPost.
Ish-pengjet që morën pjesë në takim përfshinin Matan Engerst, Omri Miran, Bar Kuperstein, Nimrod Cohen, Ziv dhe Gali Berman, Ariel dhe David Kunio, Matan Zangauker, Ilana Gritzewsky, Guy Gilboa-Dalal, Segev Kalfon, Evyatar David, Eitan dhe Iair Horn, Yosef-Chaim Ohana, Avinatan Or, Noa Argamani, Eitan Mor dhe Elkana Bohbot. Ata u takuan gjithashtu me të dërguarin special Steve Witkoff, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe Sekretaren e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem.
Gjatë takimit me kongresmenë që kishin lobuar për lirimin e tyre, disa prej ish-pengjeve ndanë historitë personale. Omri Miran tregoi momentin kur u zhvendos me forcë nga Nahal Oz: “Vajza ime më e madhe më ndoqi duke thirrur ‘Babi!’. Për gjashtë muaj nuk dija asgjë për ta derisa e pashë në televizion. Sot jam këtu sepse e pashë atë dhe gjeta forcë të mbijetoj”.
Një gjest simbolik u bë nga binjakët Gali dhe Ziv Berman, të cilët i dhuruan presidentit Trump një mezuzah të shpëtuar nga shtëpia e tyre e djegur në Kibbutz Kfar Aza. Në shënimin drejtuar presidentit, ata shkruanin se kjo ishte një shenjë mirënjohjeje dhe respekti për përpjekjet e administratës amerikane: “Mezuzah-ja mbijetoi. Gali mbijetoi. Dhe tani dhurohet si simbol i besimit, guximit dhe miqësisë së përjetshme mes popujve tanë”.
Delegacioni u prit nga “Lobby for the Return of Abductees and Captives” dhe përfaqësues të distrikteve të ndryshme amerikane. Takimi konsiderohet një nga momentet kryesore të fushatës së administratës për të theksuar angazhimin e saj ndaj sigurisë së qytetarëve amerikanë dhe aleatëve të saj.