
Në orët e para të mëngjesit Kuvendi miratoi buxhetin 2026 dhe paketën fiskale vetëm me votat e mazhorancës. Përkrah tyre kaloi edhe e ashtuquajtura “Paqe Fiskale”, të cilën deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cilësoi hapur si një Amnisti Fiskale të plotë për bizneset gjatë tre viteve të ardhshme.
Sipas Tabakut, skema e re parashikon norma më të ulëta taksash dhe zero kontroll nga tatimet, doganat apo inspektoratet. “Bizneset nuk do të kenë mbi kokë shtetin për tre vitet e ardhshme. Tatime, dogana, inspektorë – të gjithë do t’i lënë të qetë. Ky është një falje e plotë fiskale,” u shpreh ajo në një video reagim.
Deputetja bëri të ditur se i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Financave listën e përfituesve të kësaj amnistie, por transparenca – sipas saj – mungon krejtësisht. Ajo ngriti një sërë pyetjesh që, siç theksoi, qeveria po shmang me qëllim:
- A kanë këto biznese kontrata publike apo tendera nga buxheti i shtetit?
- A janë përfitues të koncesioneve?
- A kanë kryer evazion fiskal?
- A janë të përfshirë në hetime për korrupsion?
“Këto janë pyetjet kryesore për të kuptuar për kë bëhet kjo Amnisti Fiskale. A bëhet për shumicën e bizneseve, apo si gjithmonë, për pakicën e klientelës së qeverisë?” deklaroi Tabaku.
Ajo paralajmëroi se qeveria po e zvarrit publikimin e të dhënave deri në miratimin përfundimtar të buxhetit, ndërkohë që opinioni publik ende nuk ka asnjë përgjigje se kush përfiton realisht nga kjo skemë.
Në përfundim, Tabaku e quajti Paqen Fiskale “një operacion politik të paketuar si reformë ekonomike”, duke nënvizuar se opozita do të kërkojë deri në fund transparencë të plotë për çdo përfitues.