Vendosni fjalën kyçe....

Plani i paqes, SHBA dërgon zyrtarët më të lartë ushtarakë në Kiev


Zyrtarë të lartë të Pentagonit mbërritën këtë të enjte në Ukrainë për të “diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”, njoftoi ushtria amerikane, në një vizitë që vjen mes shqetësimeve europiane për një plan të raportuar paqeje SHBA–Rusi që kërkon lëshime të mëdha nga Kievi.

Delegacioni drejtohet nga Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, i cili zhvilloi takime me kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko, dhe pritet të takohet me presidentin Volodymyr Zelensky gjatë ditës, përcjell BBC.

Raportimet nga Axios, Financial Times dhe Reuters sugjeruan se një kornizë e re prej 28 pikash është përgatitur nga emisari i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe i dërguari rus, Kirill Dmitriev, e cila kërkon që Ukraina të heqë dorë nga territore të Donbasit që ende kontrollon dhe të reduktojë ndjeshëm ushtrinë e saj. As SHBA, as Rusia nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht dokumentin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shkroi në X se “për të arritur një paqe të qëndrueshme do të kërkohen lëshime të vështira nga të dyja palët”, duke theksuar se Uashingtoni po konsultohet me të dyja vendet për të hartuar ide të mundshme për t’i dhënë fund luftës.

Kremlini, nga ana e tij, pranoi se kanë pasur “kontakte” me SHBA-në, por mohoi ekzistencën e “konsultimeve apo negociatave”.

 

Europa: Ky plan nuk mund të funksionojë pa Ukrainën

Plani i raportuar, i hartuar pa pjesëmarrjen e europianëve apo të ukrainasve, ka shkaktuar reagime të menjëhershme.

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se çdo propozim “duhet të përfshijë ukrainasit dhe europianët”, ndërsa ministri i jashtëm francez Jean-Noël Barrot theksoi se “ukrainasit nuk pranojnë asnjë formë kapitullimi”.

Nga ana e Ukrainës, kryeministrja Svyrydenko nuk komentoi planin, por theksoi se vizita e delegacionit amerikan u shërben “për të parë nga afër pasojat e agresionit rus”.

Ndërkohë, Zelensky konfirmoi se të paktën 26 persona humbën jetën në një sulm me raketa dhe dronë në Ternopil, në perëndim të vendit, të mërkurën. Ai tha se 22 persona të tjerë vijojnë të jenë të zhdukur.

 

Takimet në Kiev dhe pozicioni i SHBA-së

Delegacioni i Driscoll është grupi më i lartë ushtarak që ka vizituar Kievin që kur Trump mori detyrën në janar.

Me të janë edhe shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Randy George, gjenerali Chris Donahue dhe sergenti kryesor i ushtrisë Michael Weimer.

Në komunikatën zyrtare nuk u përmend plani Witkoff–Dmitriev. Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, koloneli David Butler, deklaroi se delegacioni ndodhet në Kiev “në një mision faktmbledhës për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”.

Një zyrtar ukrainas i tha CBS-së se bisedimet do të fokusohen në situatën në front dhe mundësinë e një armëpushimi, duke shtuar se Zelensky dhe Trump kanë rënë dakord që konflikti të ndalet “sipas linjave ekzistuese të kontaktit”.

Moska kërkon kushte të vjetra, Kievi i refuzon

Ndërsa këto raporte qarkullojnë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov përsëriti këtë muaj se kushtet e Rusisë mbeten të pandryshuara: dorëzim territori, reduktim drastik i ushtrisë ukrainase dhe neutralitet i detyruar, kushte që Kievi i ka cilësuar të papranueshme.

Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se i dërguari special për Ukrainën, Keith Kellogg, do të largohet nga posti në janar, pas afatit të tij ligjor 360-ditor. Kellogg shihej si një zë i rëndësishëm pro-Ukrainës brenda administratës Trump.