Vendosni fjalën kyçe....

Osmani thërret partitë në takim pas dështimit të formimit të Qeverisë në Kosovë



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar sot partitë parlamentare në një takim të përbashkët konsultativ, pas dështimit të radhës për formimin e Qeverisë. Takimi është thirrur për orën 10:30 dhe pritet të fokusohet në caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas burimeve të Telegrafit, në ftesën e presidentes drejtuar subjekteve politike thuhet: “Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.”

Ky hap vjen menjëherë pas seancës së një dite më parë në Kuvend, ku i mandatuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë. Ky ishte dështimi i dytë i Vetëvendosjes, pas pamundësisë së mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse as mandatari i dytë nuk arrin të formojë Qeverinë, presidentja është e detyruar të shpallë zgjedhje të reja brenda një afati kohor prej 40 ditësh nga dita e shpalljes.

Me thirrjen e sotme, pritet që partitë të diskutojnë opsionet dhe të përcaktojnë një datë për zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat tashmë konsiderohen të pashmangshme.