
Reshjet e shiut që kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar disa problematika të përkohshme në qarkun e Korçës, ku strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile po punojnë në terren për menaxhimin e situatës.
Në fshatin Çiflig është raportuar prezencë uji në oborret e tre banesave, duke prekur vetëm hangarë me bazë blegtorale, ndërsa grupet e terrenit po pastrojnë kanalet për largimin e ujërave të mbledhura. Edhe në fshatin Vinçan ka pasur shkarje dherash në rrugën e fshatit, por ndërhyrja e menjëhershme e administratës vendore ka bërë të mundur pastrimin e inertave dhe qarkullimi vijon normalisht.
Në bashkinë Maliq, në zonën e minierës së fshatit Qenckë, reshjet kanë shkaktuar prani inertesh në rrugë si pasojë e shkarjeve të dherave, por kontraktori pastrues ka ndërhyrë duke normalizuar situatën. Sipas ARRSH, akset kryesore rrugore në qark paraqiten të hapura, ndërsa në aksin e vjetër Korçë–Ersekë (Qarri) janë konstatuar shkarje dherash dhe punonjësit po vijojnë pastrimin e tyre.
Probleme më të theksuara janë regjistruar në furnizimin me energji elektrike, ku disa fiderë në Korçë dhe Bilisht kanë mbetur jashtë funksionit. Aktualisht, 1,762 abonentë janë pa energji, ndërsa ekipet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve. Ndërkohë, situata hidrologjike paraqitet e stabilizuar, me lumenjtë Devoll dhe Dunavec nën kontroll dhe pa rrezik për përmbytje, ndërsa në një sipërfaqe të ulët bujqësore është raportuar vetëm një pasqyrë e vogël uji.
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës në të gjitha zonat e prekura dhe deri në këto momente nuk raportohen rreziqe për banesat apo qytetarët, pavarësisht reshjeve që vazhdojnë.