
Zv/kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka avancuar hetimet ndaj saj dhe ka ngritur një tjetër akuzë për shkelje të barazisë në tendera, këtë herë lidhur me projektin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Në reagimin e tij, Këlliçi e cilëson çështjen Balluku pjesë të një skeme më të gjerë korrupsioni që, sipas tij, përfshin edhe kryeministrin Edi Rama. Ai pretendon se faktet dhe përgjimet tregojnë “për një vullnet të qartë korruptiv që shkon në majën e qeverisë”.
Në postimin e publikuar në Facebook, Këlliçi shkruan se:
“Nuk ka më asnjë justifikim moral, politik, logjik apo edhe ligjor që Edi Rama të vijojë të mbetet Kryeministër i Shqipërisë.”
Demokrati e cilëson situatën “fundin moral dhe historik të një qeverie të korruptuar”, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit. Sipas tij, “ringritja institucionale dhe normalizimi politik i Shqipërisë duhet të kalojë patjetër nga dorëheqja e Edi Ramës.”
SPAK ka pezulluar nga detyra Ballukun në kuadër të hetimeve për tendera publikë, ndërsa priten veprime të tjera procedurale në ditët në vijim. Qeveria nuk ka reaguar ende zyrtarisht mbi akuzat e bëra nga Këlliçi.