
Partia Mundësia zhvilloi sot një protestë para Kryeministrisë, në të njëjtën kohë kur ish-ministrja Belinda Balluku qëndronte brenda godinës prej më shumë se katër orësh, mes dyshimeve për një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama.
Në protestë morën pjesë deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të shoqëruar nga dhjetëra qytetarë me pankarta që kërkonin largimin e Ballukut.
Gjatë fjalës së tij para turmës, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lëshoi akuza të forta.
“Shqipëria është në një moment historik. Të korruptuarit janë mbyllur në zyrë dhe po bëjnë plane si t’i shpëtojnë drejtësisë”, tha ai. “Pas Veliajt dhe Ahmetajt, tani e kanë radhën Ballukun. Ajo është zv/kryeministrja në detyrë dhe nuk e lëshojnë dot, sepse pas saj shkojnë direkt te Edi Rama.”
Shehaj theksoi se “janë rrethuar nga drejtësia” dhe se, sipas tij, klasa drejtuese mendonte se mund ta përdorte drejtësinë si instrument politik.
“Por ja që edhe në Shqipërinë e vuajtur erdhi dita e saj”, u shpreh ai. “Falë SPAK-ut dhe reformës në drejtësi, këta do të shkojnë në burg.”
Në mbyllje të deklaratës, Shehaj u bëri thirrje qytetarëve të besojnë në ndryshim.
“Ka ardhur koha që shqiptarët të shohin drejt së ardhmes dhe të ndërtojmë një Shqipëri të re, ku të gjithë jetojnë ndershmërisht dhe askush të mos ketë në kurriz kryeministra e deputetë të korruptuar”, tha ai.