
Pas përmirësimit të motit dhe reshjeve me intensitet të ulët, bashkitë e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës kanë vijuar sot punën për menaxhimin e pasojave të përmbytjeve. Situata është stabilizuar, ndërsa të gjitha strukturat mbeten në gatishmëri.
Në Lezhë, në Njësinë Shëngjin, forcat e armatosura dhe ekipet bashkiake kanë vijuar punimet për largimin e ujit nga oborre, pallate dhe hotele, me 10 efektivë të FA-së, 3 mjete, 3 pompa dhe 11 punonjës bashkiakë. Në lagjen “Nënë Tereza” janë përdorur motorpompa dhe mjete të rënda, ndërsa janë pastruar kanalet në Blinisht dhe Kallmet. Nesër do të vijojnë pastrimi i kanaleve, pusetave dhe mbetjeve. Furnizimi me energji është normalizuar.
Në Kurbin, punimet për rrugën Skuraj–Gallatë–Vinjollë u ndërprenë në 17:30 dhe do të vijojnë nesër. Në zonë janë të dislokuara mjete të FA-së. Në Mamurras ka vijuar pastrimi i kanaleve dhe tombinove. Energji mungon në Skuraj, Gallatë dhe Vinjollë për shkak të dëmtimit të shtyllave.
Në Mirditë, ura Bailey në fshatin Jezull është dëmtuar dhe është jashtë funksionit; banorët përdorin rrugë alternative. Aksi Rrëshen–Bukmirë mbetet me rrëshqitje. Janë dëmtuar ura dhe pasarela në Lekgegaj, Domgjon, Zall-Xhuxhë, Shpërdhaze, Thirrë dhe Xhakëz. Pa energji janë Xhuxhë dhe Katundi i Vjetër, me 27 abonentë.
Mjetet e DUK kanë punuar në lumin Drojë, në zonën e Talës dhe në Balldre. Sipas të dhënave të SEB, nën ujë mbeten rreth 250 ha në Lezhë dhe 300 ha në Kurbin. Procesi mësimor është zhvilluar normalisht, me mungesa në disa zona për shkak të dëmtimit të urave dhe rrugëve. Prefekti i Qarkut dhe përfaqësues të AKMC-së kanë monitoruar nga afër situatën.