Vendosni fjalën kyçe....

Lamallari: Buxheti i Drejtësisë 2026 synon konsolidimin e reformës dhe drejtësi më të barabartë për qytetarët



Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi në Kuvend projekt-buxhetin e vitit 2026 për ministrinë që ai drejton. Lamallari theksoi se çdo shifër e këtij buxheti përfaqëson një reformë të vazhdueshme, një hap për qytetarin dhe një standard europian drejt Shqipërisë 2030 në BE.

“Buxheti 2026 i Ministrisë së Drejtësisë synon konsolidimin e reformës në drejtësi, funksionimin e çdo hallke të sistemit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për një drejtësi më të drejtë për të gjithë. Ky buxhet përfaqëson dinjitet njerëzor sa herë një vendim gjyqësor ekzekutohet, padrejtësi korrigjohet, pronë kompensohet, të mitur rehabilitohen apo qytetarë në nevojë marrin ndihmë juridike falas”, tha Lamallari.

Buxheti i vitit 2026 do të shkojë në vlerën e 14.96 miliard lekëve dhe do të përdoret për objektiva të qarta dhe të matshme, përfshirë:

  • Konsolidimin e pavarësisë dhe efikasitetit të organeve të reja të drejtësisë dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në përputhje me standardet e BE-së.

  • Përmirësimin e shërbimeve publike ligjore, më profesionale dhe dinjitoze për qytetarët.

  • Forcimin e sistemit të drejtësisë për të miturit dhe rehabilitimin e tyre drejt një të ardhme më të sigurt.

  • Ofrimin e ndihmës juridike falas për çdo qytetar në nevojë.

Lamallari përmendi gjithashtu investimet në sistemin e burgjeve, duke përfshirë ndërtimin e IEPV Kukës dhe rikonstruksionin e IEPV Fushë Krujë. Për shërbimin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë parashikuar 2.83 miliard lekë për përshpejtimin e zgjidhjes së dosjeve. Do të ketë gjithashtu rritje të burimeve njerëzore me 35 përmbarues gjyqësorë për të përshpejtuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Ministri nënvizoi se buxheti i propozuar nuk është vetëm një instrument financiar, por një lokomotivë që avancojnë reformën dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke garantuar transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Ky buxhet, sipas Lamallarit, është vendimtar për përmbylljen e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave me BE-në dhe për ofrimin e drejtësisë europiane për qytetarët shqiptarë.