
I mandatuari për kryeministër i Kosovës, Glauk Konjufca i partisë Lëvizja Vetëvendosje, ka dështuar për të formuar qeverinë e re.
Kuvendi i Kosovës votoi kundër formimit të qeverisë me Konjufcën kryeministër duke e rrëzuar me 53 vota kundër dhe 4 abstenim, 56 deputetë votuan pro tij. Konjufca duhet të siguronte minimumi 61 vota për të formuar qeverinë.
Në këtë rast Kosovës i është hapur rruga për të shkruar drejt zgjedhjeve të reja të përgjithshme, të fundit të cilat u zhvilluan më datë 9 shkurt.
I pari që dështoi në formimin e qeverisë, ishte kryeministri në detyrë Albin Kurti më 26 tetor me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenim. Kurti më pas i hapi rrugë Konjufcës, i cili u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor.
Me rastin e dështimit të Konjufcës, presidentja Osmani ka si detyrim ligjor për të shpallur zgjedhjet e parakohshme, të cilët duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga shpallja.
Qeveria e propozuar nga Konjufca nuk kishte pothuajse asnjë ndryshim nga ajo e Albin Kurtit. I vetmi ndryshim ishte ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, ku Glauk Konjufca ia kishte besuar si post Besnik Bislimit në vend të Dimal Bashës. Në këtë qeveri, Kurti do të luante rolin e Ministrit të Jashtëm.
“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhje të tjera. Do të ishte arrogancë ta çojmë vendin në zgjedhje sërish. Nëse i mbajnë më dhjetor, kush na garanton që nuk shkojmë edhe në mars. Të mos harrojmë që ideja e domosdoshmërisë për mandatarin e dytë lindi pas dështimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, tha Konjufca përpara ligjvënësve.